Lajme Shqip Tuesday, 09 April 2013 12:07

Prishtinë – Profil “krimineli” i kanë bërë dy prokurorë të EULEX-it deputetit Fatmir Limaj të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ata e kanë cilësuar udhëheqës të “një grupi të strukturuar kriminal”, të udhëhequr për të fituar sa më shumë para, duke keqpërdorur buxhetin e Kosovës.

Cilësimet për Limajn kanë qenë të shumta. Ato e kanë bërë vetë atë shpeshherë të qeshë bashkë me të akuzuarit e tjerë.  

Në seancën e shqyrtimit fillestar, që është mbajtur për të shqyrtuar aktakuzën e prokurorit Johannes Pickert kundër Fatmir, Demir e Florim Limajt, si dhe Nexhat Krasniqit, Florim Zukës, Endrit Shalës, dhe Gani Zogajt, të akuzuar për një seri veprash kriminale që lidhen me korrupsion në MTPT, është lexuar shumica e aktakuzës.

Por jo e tëra. Vazhdimin e leximit të saj prokurorët do ta bëjnë edhe të mërkurën, kur pritet që të akuzuarit të deklarohen nëse janë fajtorë apo të pafajshëm për veprat që rëndojnë mbi ta. Disa prej tyre janë shumë të rënda.

Të mërkurën vazhdon gjykimi i Limajt dhe 6 të tjerëve. (K.N/LajmeShqip.com)