Lajme Shqip Tuesday, 03 November 2015 17:20

Projekti i Brezovicës mund të dështojë nëse kompania e koncesionare nuk gjen mënyra të financimit, por dështimi i tij nuk bëhet me faj të institucioneve vendore.

Kështu tha ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, gjatë raportimit të punë së MTI-së në Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik. Ajo, tha se nuk mund të garantoj nëse ky projekt nuk dështon.

Kjo përgjigje erdh pas interesimit të Besim Beqës, i cili ia kujtoi ministres se afati për Brezovicën ka qenë deri në tetor.

 “E kemi çështjen e Brezovicës besoj që deri tash ka qenë disa herë në media se kemi vonesa dhe do të duhej të sqarohej. Në 180 ditë pune, ka qenë tetori afati përmbyllës apo është dhënë afat shtesë do të ishte mirë sepse këtu ka dilema se sa e di unë ata janë duke bërë takime me biznesin. Nuk e di a janë duke tentuar për të gjetur bashkëpunëtorë të cilët do të ju ndihmojnë financiarisht apo janë vetëm për të prezantuar një master plan. Ju e dini që ata janë gjatë këtyre ditëve prezent nëpër treg”, ka thënë Beqa.

Ministrja Hykmete Bajrami, megjithëse nuk e mohoi se një projekt i tillë mund të dështoj, tha se institucionet e Kosovës i kanë përfunduar obligimet që i përkasin.

 “Folet për 180 ditë pune e jo ditë kalendarike, e cila përfundon me 24 dhjetor. Me 24 dhjetor është përmbyllja. Ne si institucione kemi kryer të gjitha obligimet tona sa i përket të gjitha vendimeve për shpronësim e të tjera. Të gjitha obligimet që dalin deri tani nga investitori. Nuk mund të them që kemi pasur dokumente ku ai ka aprovu që ka mobilizu fonde të caktuara, se ai e ka një strategji të ndarjes së projektit në segmente të ndryshme. Për shembull punon me një kompani të ndërtimit të ski lifteve dhe mendon që ai do të vjen dhe të investoj me ndërtimin e skiliftave. Hotelet do ja jap një ndërtuesi të hoteleve e të tilla. Tani më unë shpresoj që ky projekt do të ndodh. Mirëpo nuk është që mundem me garantu aq çka ne mund të garantojmë është që projekti nuk do të dështoj për shkak të dështimit të institucioneve. Ne do ti kryejmë të gjitha obligimet tona. Ndërkohë ju e dini që ai ka qenë faktikisht ofertuesi i vetëm që ka sjell ofertë edhe nuk është që kemi pasur zgjedhje dhe të akuzohemi pse nuk kemi marrë dikë tjetër”, tha Bajrami.

Fatmir Rexhepi , deputet nga radhët e LDK-së ngriti çështjen e diplomacisë së Kosovës jashtë. Ai e tregoj rastin kur në një shtet ka takuar ambasadorin dhe e kishte ftuar atë të merrte pjesë në një panair, dhe arsyetimi i këtij ambasadori, Rexhepit ju kishte duk banal.

“Po më pëlqen vendosshmëria e ministres që mos të mashtrohemi nga investitorët…Informatë që mua më ka ndodh që e përmendet punën e diplomacisë ekonomike. Kamë shkuar jashtë në panair atje një ekspozitë dhe takova një prej kolegëve, ambasadorëve të emëruar dhe i thash “a ke mundësi nesër mbas nesër me ardh në panair”. Jo tha, se i kishte pasur do këlysh në dorë. Dhe tha, jo se nuk kam kohë se nesër nuk kamë kujt me ja lënë këlyshët”, tha Rexhepi.

Në raportimin e ministres Hikmete Bajrami, u fol edhe për investimet në zonat industriale, për të cilat tha se deri tash janë investuar mbi 12 milion euro që edhe për atë është shifër marramendëse por që pret në të ardhmen ato të jenë funksionale dhe në shërbim të bizneseve.

Po ashtu në komision ajo ka raportuar për sfidat dhe të arriturat e MTI-së.