Lajme Shqip Saturday, 21 June 2014 18:20

Një muaj pasi u shpall i pafajshëm në rastin e parë të “Grupit të Drenicës’, ndaj tij do të nisë procesi i ri gjyqësor. Bëhet fjalë për Sylejman Selimin, edhe më tej zyrtarisht ambasador i Kosovës në Shqipëri. Ai dhe të tjerët akuzohen për vepra të cilat dyshohet se i kanë kryer gjatë luftës së fundit në vend. Procesi ndaj Selimit dhe të tjerëve ishte paralajmëruar se do të niste më 12 qershor.

Por sipas avokatit të tij mbrojtës, Tomë Gashit, tashmë është vendosur që procesi gjyqësor në pjesën e dytë të këtij rasti të fillojë më 27 qershor.
Kështu, gjykimi ndaj komandantëve dhe ushtarëve të UÇK-së, të njohur si “Grupi i Drenicës”, do të mbahet në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Në këtë seancë pritet të paraqiten të gjithë të akuzuarit e që përveç Sylejman Selimit, janë edhe Hysni Thaçi, Agim, Bashkim, Driton dhe Selman Demaj, pastaj Fadil, Nexhat, Jahir dhe Zeqir Demaku.

Rasti i dytë i të njëjtit proces gjyqësor është ndarë kohë më parë nga kryetari i trupit gjykues në dy pjesë.
Kjo është bërë me arsyetimin se në proces janë të përfshirë numër i madh të akuzuarish, ose gjithsej pesëmbëdhjetë persona.