Lajme Shqip Sunday, 13 October 2013 11:01

Prishtinë- Në rast të dështimit të nënshkrimit të kontratës për shitjen e 75% të aksioneve të PTK-së, Ministria e Zhvillimit Ekonomik është duke planifikuar të ndërrojë strategjinë për këtë ndërmarrje. Ministri Fadil Ismajli nuk e ka ndërmend të mendojë më për privatizimin, por të vërë në jetë idenë e shefit të tij, Behxhet Pacolli që PTK-ja t’i jepej në menaxhim një kompanie ndërkombëtare, transmeton KTV.

 Një hap të tillë thotë se duhet bërë pasi që 15 vjet, në krye të kësaj ndërmarrjeje nuk është arritur të vendoset një menaxhment i përgjegjshëm. Ismajli që mori detyrën e ministrit në kohën kur privatizimi i ndërmarrjes ishte thuajse në finale, thotë se në skenarin më të keq, më mirë do të ishte që konsorciumi “Axos & Najafi” të tërhiqej, me çfarë qeveria do të mund t’i inkasonte 3 milionët e garancisë. Ai ka thënë se çmimi i ofruar nga kjo kompani për PTK-në është shumë real dhe se dështimi do të ndikonte në uljen e vlerës së saj.