Lajme Shqip Tuesday, 25 June 2013 08:35

Bruksel – (E plotësuar) Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë pajtuar që të hapen negociatat mes BE-së dhe Kosovës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. 

Komisioneri evropian për Zgjerim Stefan Fuele tha të martën gjatë një konference për shtyp pas takimit të ministrave të jashtëm evropian në Luksemburg, se gjithçka është gati që Kosovës t’i hapet rruga për integrime evropiane.

“Ministrat janë pajtuar që të hapen negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën. Mandati për këto negociata është caktuar, dhe ai formalisht do të miratohet të premten, [po atë ditë] edhe do të miratohen edhe konkluzionet e Këshillit të Evropës”, ka thënë komisionari Fuele.

Sipas tij, negociatat për MSA-në me Kosovën “mund të nisin menjëherë” pasi ato të jenë adoptuar nga Këshilli i Evropës, raporton rel. 

Serbia në anën tjetër ka marrë po ashtu vizën nga kryediplomatët e vendeve anëtare të unionit, për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Komisionari Stefan Fule tha se do të varet nga Këshilli i Evropës që të miratoj kornizën e tashme kohore nëse konferenca ndër-qeveritare do të zhvillohet “më së largu në janar të vitit të ardhshëm”.

“Por kjo nuk e përjashton mundësinë që ajo [konferenca ndër-qeveritare] të ndodh edhe më herët”, tha Fuele.

Qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë arritur një pajtim paraprak që të hapin negociatat me Serbinë.

Rezultati i takimit të sotëm në Luksemburg, kërkon konfirmim të liderëve evropian të cilët pritet të takohen të enjten dhe të premtën në Bruksel.

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian ka përshëndetur rezultatin që kanë prodhuar kryediplomatët e vendeve anëtare të BE-së, duke e quajtur si “provë e kredibilitetit pas hapave të paprecendetë që u ndërmorën në normalizimin [e marrëdhënieve] me Kosovën”.

 

Pritet MSA për Kosovën, negociatat për anëtarësimin e Serbisë

 

Bruksel – Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë sot zyrtarisht për Kosovën dhe Serbinë.

Në takimin e tyre në Luksemburg pritet të miratohen konkluzat, të cilat do të propozojnë nisjen e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE dhe nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën, raporton rel. 

Në konkluzat përkatëse thuhet se normalizimi i dukshëm dhe i qëndrueshëm i raporteve Kosovë-Serbi do të jetë kusht për të dyja palët që të ecin drejt BE-së, pa pasur mundësi që ta pengojnë njëra-tjetrën në këtë rrugë.

Në ditën e parë të takimit, minisrat e Jashtëm evropianë kanë diskutuar për çëshje të ndryshme globale, ndërsa për Kosovën dhe Serbinë është biseduar në mënyrë joformale.