Lajme Shqip Monday, 26 December 2011 14:10

Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti, pritet të miratohet në Parlamentin e Kosovës deri në shkurt të vitit 2012.

Pensionistët kosovarë nuk janë aspak të kënaqur me projektligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, i cili është miratuar tashmë nga qeveria. Kryetari i sindikatës së pavarur të pensionistëve dhe invalidëve të punës, Fahri Buqinca, thotë se ai projektligj nuk e zgjidh çështjen e pensionistëve që kanë paguar kontribut për vite me radhë:

“Ne me draftligjin nuk jemi pajtuar duke marrë parasysh se ai është diskriminues për arsye se kontributdhënësit të cilët kanë punuar 40 vjet nuk janë marrë në konsideratë. Pranda, nej nuk mundemi në asnjë mënyrë që ta pranojmë këtë ashtu si e ka parashikuar qeveria”.

Ministri i punës dhe mirëqenies sociale, Nenad Rashiq, thotë se projektligji është shumë i rëndësishëm për rregullimin e gjendjes së pensionistëve.

Ministri Rashiq thotë se kategorizimi i pensionistëve do të bëhet pas miratimit të ligjit në parlament, kurse në grupet punuese teknike do të përfshihen edhe përfaqësues të pensionistëve. Ai shfaq bindjen se  projektligji do të miratohet në fillim të vitit të ardhshëm.

Pensionistët nuk pajtohen me rritjen prej 20 eurosh, por ata kërkojnë që pensioni të jetë në vlerë prej 60 përqind të pagës mesatare në Kosovë. Koalicioni i pensionistëve, ku bëjnë pjesë 5 organizata të pensionistëve, përmes një peticioni, kërkon ligj të pensioneve, që përcakton pensionin në bazë të kontributit. Ndërkaq, për kundërshtimin e miratimit të projektligjit të skemave pensionale, paralajmëron edhe protesta.