Lajme Shqip Saturday, 24 December 2011 15:30

Marko Jakshiçi, lideri i ‘demokratëve’ të Voisllav Koshtunicës për Kosovën, si dhe një nga udhëheqësit më radikal të serbëve të veriut, së shpejt pritet që të përfundojë prapa hekurave.

Burime të portalit kanë mësuar se Jakshiç, akuzohet nga Qeveria e Serbisë, përkatësisht drejtësia e vëndit të tij, se në bashkëpunim me ish kreun e Qendrës koordinuese për Kosovën, politikanin serb Nebojsha Çoviç, kanë keqpërdorur mbi 6 milion euro vetëm gjatë viteve kur Çoviç kishte këtë funksion.

Jakshiçit nga drejtësia serbe i vihen mbi shpatulla tri akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare së bashku me Millan Ivanoviç, rreth investimeve në Spitalin e veriut të Mitrovicës si dhe në investimet e Qeverisë së Serbisë për blerjen e trojeve, shtëpive dhe banesave të shqiptarëve në veri të Mitrovicës. Ka qenë pikërisht portali ynë që ka publikuar dosjet konfidenciale të NATO-s për këta persona që përpara katër muajsh.

Aktualisht ish kreu i Qendrës Koordinuese Serbe për Kosovën, Nebojsha Çoviç, është i akuzuar dhe është duke u marrë në pyetje nga drejtësia e Serbisë për keqpërdorimet që ka bërë ai gjatë vitit 2004 në Kosovë.