Lajme Shqip e Hënë, 03 Tetor 2011 12:03

Prishtinë (PLOTËSUAR, E martë, 4 tetor, 12:03) – Komuna e Prishtinës, të martën, po mban zi me rastin e vrasjes së drejtori për Arsim në Komunën e Prishtinës, Remzi Salihu. Sot është edhe dita e varrimit të tij.

Në mbledhjen komemorative, Kuvendi Komunal nderoi figurën e Salihut dhe çmoi lartë kontributin e tij në fushën e arsimit.

Sot nuk punohet në Komunën e Prishtinës e as në institucionet shkollore.

Kryetari Isa Mustafa, nga Uashingtoni, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, e ka quajtur vrasjen akt makabër, Ndërsa ka ftuar mësimdhënësit dhe nxënësit që prej nesër t’i kthehen mësimit normalisht. (LajmeShqip.com)

****************************

Prishtinë (PLOTËSUAR 11:47) – Policia e Kosovës sapo e ka konfirmuar vrasjen dhe tha se po zhvillohen hetimet për zbardhjen e saj.

Sipas burimeve të portalit, vrasësi i drejtorit të Arsimit, Remzi Salihut, është Gani Sahiti, arsimtar në shkollën Dabishecit, në Prishtinë, njëherit kandidat për drejtor shkolle.

Besohet se ai e ka kryer vrasjen në shenjë hakmarrje, për shkak se i është pamundësuar të jetë drejtor i shkollës.

Pas kryerjes së krimit, ai është vetëdorëzuar në polici.

******************************

Prishtinë – Është vrarë në zyrën e tij, të hënën, drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Remzi Salihu.

Burime të portalit kanë bërë të ditur se ai është qëlluar për vdekje në zyrën e tij, sot në mëngjes.

Bëhet e ditur se ai është goditur me gjashtë plumba, në vendin e tij të punës. (LajmeShqip.com)