Lajme Shqip Friday, 16 March 2012 20:15

Prishtinë-Në kryeqytetin e Kosovës nisi të premten ndërtimi i Sheshit të Pavarësisë, i cili mban emrin e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Investimi rreth 4 milionë euro në një sipërfaqe prej rreth 13 mijë metra katrorë pritet që brenda 150 ditëve të ndryshojë pamjen e kësaj hapësire që ndodhet përballë institucioneve kryesore të Kosovës, si Kryeministrisë, Kuvendit dhe Presidencës.

“Rreth 4 mijë metra katror do të jenë sipërfaqe të gjelbëruara, do të ketë mjaft shumë fidanë dhe pjesë të cilat ne do t’i gjelbërojmë. Kështu që do të plotësojmë të gjitha kushtet për fëmijë për pleq dhe për qytetarët”, deklaroi kreu i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa.

Përveç kësaj, parashikohet që të bëhet edhe nivelimi i sipërfaqes ku është e vendosur shtatorja e Skënderbeut, dhe ndërtimi i tualeteve publike që mungojnë në Prishtinë.

Ndërsa, në sheshin “Nëna Terezë” sot ishte edhe një zhvillim tjetër, organizata Doën Sindrom Kosova, organizoi një marsh solidar me fëmijët që kanë këtë sindrom.

Ky marsh dhe aktivitete tjera që do vazhdojnë kanë për qëllim vetëdijesimin e shoqërisë për këtë kategori të fëmijëve. (LajmeShqip.com)