Lajme Shqip Monday, 27 June 2011 11:22

Prishtinë – Qytetarët e Prishtinës dhe të fshatrave përreth do të përballen me reduktime te ashpra të ujit gjatë gjithë sezonit veror. Zyrtarë të kompanisë së Ujësjellësit rajonal “Prishtina” thonë se reduktimet e ujit ndodhin si shkak i keqpërdorimeve të ujit nga ana e konsumatorëve.

Kompania e ujësjellësit rajonal “Prishtina”, në sezonin veror po përballet me rritje enorme të kërkesave me ujë të pijshëm. Kjo bënë që kompania të shtojë reduktimet e ujit në disa nga lagjet dhe fshatrat e komunës së Prishtinës.

Zëdhënësja, Arjeta Mjeku thotë se niveli i ujit në liqenet akumuluese është i kënaqshëm, por kërkesat për ujë këtë vit janë shumë më të mëdha sesa vitet e kaluara. Ndërsa, qytetarët thonë se reduktimet e ujit po bëhen në kohën kur më së shumti është i nevojshëm.

Reduktimet e ujit në lagje dhe fshatra të kryeqytetit, sillen nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 18 pasdite. Arjeta u bën apel qytetarëve që ujin ta përdorin vetëm për pastrim dhe higjienë e assesi për destinime të tjera të paarsyeshme.