Lajme Shqip Friday, 17 June 2011 13:48

Prishtinë – Qeveria e Kosovës pritet të procedojë javën e ardhshme Ligjin për vlerat e Luftës në Kuvendin e Kosovës. Zv/kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, paralajmëroi se Ligji për vlerat e luftës së UÇK-së pritet që të procedohet javën e ardhshme në Kuvendin e Kosovës.

Numri dy i qeverisë deklaroi kështu pas një takimi që kishte me udhëheqësit e Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së.

Kuçi ka ftuar grevistët, veteranë të kësaj lufte, që ta ndërpesin grevën dhe ta presin tashmë ligjin e ti.

Ndërsa, udhëheqësi i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Xhavit Jashari, u shpreh i entuziazmuar për këtë ligj, ndërkohë që ka thënë se puna kryhet në këtë mënyrë me bisedime e jo me greva.

Ai, madje, grevën e organizuar tash e 25 ditë nga ish-pjesëtarë të UCK-së e ka quajtur “politike dhe të panevojshme”.

Kurse pavarësisht faktit se javën e ardhshme pritet që ligji për vlerat e luftës të kalojë në legjislativ, Kryetari i Këshillit Grevist, Xhevdet Qeriqi, tha se grevistët nuk janë të gatshëm të largohen nga qëllimi i tyre.

Greva e ish-pjesëtarëve të UÇK-së tashmë ka hyrë në ditën e 26-të, ndërkohë ata dje i janë drejtuar kryeministrit Hashim Thaçi për një takim dhe ende, sipas tyre, nuk kanë marrë një përgjigje.