Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 14:15

Prishtinë – Greva e ish luftëtarëve të UÇK-së, ka hyrë në ditën e 17-të të saj, ndërkaq që pas vizitës së fundit të kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, nuk është bërë ende asnjë vizitë nga ana e zyrtarëve institucionalë.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, tha se gjendja e disa grevistëve është mjaft e keqe. Ai tha se mjekët nuk mungojnë sa herë që grevistët kanë nevojë.

Qeriqi tha se ndjehet i habitur me, siç tha ai, bashkëluftëtarët e tij, të cilët kanë pozita në qeveri dhe nuk ka asnjë reagim nga ana e tyre.

Ai paralajmëroi se të enjten do të ketë një mbledhje masive pranë tendave të grevistëve, ngaqë, sipas tij, do të vijnë nga të gjitha qendrat e Kosovës anëtarët e Këshillave të UÇK-së.

Qeriqi tha se greva nuk do të ndalet deri në përmbushjen e kërkesave të ish-luftëtarëve të UCK-së. Një ndër kërkesat kryesore të luftëtarëve, është miratimi i Ligjit për vlerat e luftës së UÇK-së.