Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 09:52

Qeveria e Kosovës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë ridizajnaur marrëveshjen e bashkëpunimit. Kështu ka konfirmuar mbrëmë kryeministri Hashim Thaçi në një intervistë të gjatë për radio Televizionin e Kosovës.

Në anën tjetër për raportet e Qeverisë së Kosovës me FMN-në kanë shkruar edhe agjencitë e huaja. Sipas agjencisë Reuters, Qeveria në Prishtinë është përpjekur ta quajë një fitore të saj arritjen e një kompromisi për monitorimit të shpenzimeve buxhetore të qeverisë deri në fund të vitit. Sipas agjencisë, “zyrtarët qeveritarë shpresojnë që në vitin 2012 të arrijnë një marrëveshje më të madhe se sa ajo e korrikut të vitit të kaluar, që parashihte një pako ndihmash për Kosovën deri në 155 milionë dollarë”, e që Kosova nuk do t’i marrë gjatë këtij viti.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë  se negociatat me FMN nuk ka qenë të lehta, por që, sipas tij, kjo marrëveshje nuk do të prekë vendimin për marrjen e pagave me rritje ndërsa  do të vazhdojë edhe ndërtimi i autostradës.

FMN dhe Qeveria janë pajtuar që në shtator dhe në fund të dhjetorit, në Kosovë të vijnë ekipe të FMN-së, të cilat do të shohin se deri ku është përmbushur marrëveshja në mënyrë që pastaj të jetë i mundshëm shfrytëzimi i ndihmave të FMN-së.

Sipas zyrtarëve të Minsirisë së Financave,  FMN-ja ka konstatuar se ka ende hapësira ku mund të mblidhen taksat e ndryshme, me të cilat do të mund të mbushej buxheti si janë tatimet komunale.