Lajme Shqip Saturday, 25 June 2011 10:55

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha përuroi përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e segmentit “Rruga Nacionale-Kala Prezë” në rrethin e Tiranës, me vlerë investimi mbi 200 milion lekë dhe gjatësi 3.2 km.
Shefi i qeverisë theksoi se kjo rrugë, do të shtojë ndjeshëm ardhjet  e vizitorëve në Prezë. Ai vlerësoi se Preza është një nga vendet turistike më të bukura të Shqipërisë, me kalanë dhe vendndodhjen e saj që ka tërhequr dhe frymëzuar piktorë ndër më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave si Eduard  Lir dhe të tjerë.     
“Preza përbën një pasuri të madhe turistike për Tiranën, por ne jemi vetëm në fillimet e shpalosjes së një potenciali  të jashtëzakonshëm turistik të Shqipërisë, të brigjeve, të kodrave, të maleve të saj”, nënvizoi kryeministri.
Duke vënë në dukje se në një hark kohor më pak se 6 vjet qeveria ia doli të rrisë me 11 herë numrin e turistëve dhe vizitorëve në këtë vend, Berisha garantoi se “vitet që vijnë, ky numër do të rritet shumë më tepër”.
Kryeministri nënvizoi se “në të gjithë këtë përpjekje ne jemi të sigurtë se ëndrrën tonë, “Shqipëria vend i zhvilluar”, do ta bëjmë realitet brenda vitit 2017″. (Lajmeshqip.com)