Lajme Shqip Thursday, 30 June 2011 20:51

Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua sot me Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hilari Klinton, në Vilnius të Lituanisë, ku po zhvillon punimet konferenca “Gratë përforcojnë demokracinë: praktikat më të mira”.
Burime zyrtare të Presidencës kosovare njoftojnë se, Sekretarja Klinton shprehu kënaqësinë për zgjedhjen e zonjës Jahjaga në postin e Presidentes së Kosovës.
Sekretarja Klinton i ofroi mbështetjen Presidentes Jahjaga dhe Kosovës në të gjitha proceset që ka vendi përpara.
Nga ana e saj, Presidentja Jahjaga e falënderoi Sekretaren e Shtetit për mbështetjen e vazhdueshme që ajo dhe SHBA i kanë dhënë Kosovës dhe tha se, roli i SHBA për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm në proceset e integrimeve evropiane.
Në Vilnius të Lituanisë po zhvillon punimet konferenca “Gratë përforcojnë demokracinë: praktikat më të mira”, e organizuar nga presidentja e Lituanisë, Dalia Grybauskaite dhe presidentja e Finlandës, Tarja Halonen, ku po merr pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, krahas një numri të madh të grave lidere nga shumë shtete të botës dhe personalitete të tjera të jetës politike.