Lajme Shqip e Diel, 10 Qershor 2012 10:40

Tiranë (PLOTESUAR 21:55)- Ka dështuar sërish përpjekja e liderëve të mazhorancës dhe opozitës për arritjen e një konsensusi për presidentin e ri të vendit. Takimi i zhvilluar sot në Kryesinë e Kuvendit ka zgjatur rreth 3 orë, por pavarësisht negociatave intensive dhe pritshmërisë së lartë për të prodhuar një emër konensual, në fund tryeza u mbyll pa asnjë rezultat. 

Takimi mes liderëve politikë, Berisha-Rama-Meta-Idrizi nisi rreth orës 19:30 në Kryesinë e Kuvendit, një ditë para raundit të katërt për zgjedhjen e presidentit. Në takim ishin të pranishëm edhe krerët e grupeve parlamentare të PS-së dhe PD-së, Gramoz Ruçi dhe Astrit Patozi, të cilit shoqëronin Ramën dhe Berishën në këto negociata. Në takim morën pjesë të gjithë aleatët e mazhorancës, përveç kreut të Republikanëve Fatmir Mediu, i cili nuk ndodhet në Shqipëri.

Burime të LajmeShqip.com bënë të ditur se mazhoranca u ul në tryezë me katër emra konkretë, të cilët do iu propozuan opozitës për arritjen e një konsensusi. Në listën e mazhorancës bënin pjesë analisti Artan Hoxha, këshilltari i kryeministrit për ekonominë, Petraq Milo dhe dy ministrat Bujar Nishani dhe Arben Imami.

Pas takimit u konfirmua se zoti Artan Hoxha është kandidatura që mazhoranca do të paraqesë në Kuvend në raundin e ardhshëm, qe do zhvillohet te henen.

Pas takimit kryesocialisti Rama konfirmoi se gjatë bisedimeve me mazhorancën nuk u arrit mirëkuptimi, pasi sipas tij qeveria nuk tregoi vullnet për një emër konsensual, por u paraqit në tryezë me kandidatura të njëanshme. “Bëmë një përpjekje të gjatë intensive të plotvullnetshme për t’i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve atë qe meritojnë, një president konsensual. Qeveria e kupton fare mire se moszgjedhja e një presidenti konsensual është një sinjal negativ për familjen europiane.”- u shpreh Rama. 

Kryetari i PS-së tha se opozita mbetet e hapur për të kontribuar në zgjedhjen e një presidenti konsensual, por nuk do të mbështesë asnjë kandidaturë të nëjanshme. “PS nuk do ta mbështesë një kandidaturë të njëanshme. Deri në minutën e fundit ka kohë për reflektim. Jemi gati të kontribuojmë për të gjetur kandidatin konsensual, në të kundërt le ta votojnë vetë dhe përgjegjësinë për humbjen le ta mbajnë vetë”- deklaroi Rama.  Shefi i opozitës deklaroi se fati i Shqipërisë europiane ka marrë një goditje nga mos gjetja e një konsensusi për kreun e ri të shetit. (LajmeShqip.com)

***************************************

Tiranë (PLOTESUAR 19:45)-  Ka nisur rreth ores 19 30  në kryesinë e Kuvendit takimi mes lidervë kryesorë politikë Berisha, Rama, Meta dhe Shpetim Idrizi, prania e te cilit ka qene e papritur ne kete tryeze negociatash. Te pranishem ne tryezen e bisedimeve edhe kreret e grupeve parlamentare te PS dhe PD, Ruzi dhe Patozi. Takimi vjen vetëm pak orë para zhvillimit të raundit të 4-t të votimit për zgjedhjen e presidentit të vendit. I pari ka mbërritur në kryesinë e Kuvendit, kreu i LSI, Ilir Meta i shoqëruar edhe nga kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi. Më pas ka hyrë në ambjentet e Kryesisë lideri i opozitës, Edi Rama, i shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar, Gramoz Ruci dhe në fund ka mbërritur kryeministri Berisha.

Burime pranë dy selive të partive politike bëjnë të ditur për portalin LajmeShqip.com, se në tryezën e negociatave pritet të hidhen për diskutim emrat e: Jozefina Topallit, kryetare e Kuvendit , Ridvan Bode, ministër i Financave, Bujar Nishani, ministër i Brendshëm, Arben Imami, ministër i Mbrojtjes, Fatos Nano, ish kreu i PS. 

Takimi Rama-Berisha- Meta-Idrizi vjen vetëm disa ditë pas dorëheqjes së kandidatit të mazhorancës për president, Xhezair Zaganjori, që u refuzua që në fillim nga opozita si një kandidaturë e njëanshme. Pritet që në takim të jenë dhe dy krerët e grupeve parlamentare, Patozi e Ruçi e ku mendohet të dilet me një konsensus për seancën e ditës së hënë kur votohet raundi i katërt për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Ndërsa jashtë politikës mësohet se do të lakohen në tryezën e bisedimeve emra të tjerë si: Vitore Tusha, anëtare e Gjyktës Kushtetuese, Sokol Sadushi, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese,  Sandër Lleshi, zv.shef i Shtabit te Pergjithshem te Forcave të Armatosura. (LajmeShqip.com)

***************************************

Tiranë -Kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha pritet të zhvillojë sot një takim me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kreun, e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në orën 19:00 në Kryesinë e Kuvendit në Tiranë.

Ky takim vjen vetëm pak orë përpara raundit të katërt të votimit në Kuvend për Presidentin e ri të vendit, raund, i cili kërkon 71 vota për zgjedhjen e Presidentit të ri. Ndërkohë rreth orës 18:30 Kryeministri Berisha pritet të takohet me aleatët e tij në qeveri për emrin konsensual të Presidentit.

Ky do të jetë takimi do të jetë i dyti pas atij mbrëmjen e së dielës së kaluar në kryesinë e Kuvendit. Ndërkohë që si Berisha dhe Rama kanë lënë të hapura mundësitë e arritjes së konsensusit.

Në tre raundet e para nuk është zhvilluar votim pasi nuk ka pasur asnjë kandidaturë zyrtare. Ndërsa z. Xhezair Zaganjori, kandidati për President i propozuar nga maxhoranca u tërhoq nga gara pasi nuk gjeti konsensusin edhe të opozitës në tre raundet e para të votimit. (LajmeShqip.com)