|
|
e Hënë, 11 Qershor 2012 15:41 Tiranë -Lëvizja “Nano për President” thekson se pas konsultimeve intensive me një grup konstitucionalistësh të nderuar në vendin tonë, “sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, një Ministër i Kabinetit Qeverisës nuk mund të kandidojë për President në rast se ai nuk ka dhënë më parë dorëheqjen. Dhe doreheqja e tij ka vlerë ligjore vetëm pasi është pranuar me dekret nga Presidenti i Republikës për t’u votuar nga Kuvendi. 
Gjithashtu Ministri kandidat për President e ka të pamundur, sipas Kushtetutës, që të votojë për veten në Kuvend në cilësinë e tij si Deputet. “Referenca e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin e heqjes së mandatit të deputetit Ilir Beqja, e bën antikushtetues kandidimin e Ministrit Bujar Nishani për President, pa përmbushur më parë të gjithë proçedurën ligjore të dorëheqjes”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes “Nano për President”.
Fatos Nano i tërheq vëmendjen shumicës qeverisëse që të mos e thellojnë krizën duke bërë edhe shkelje kushtetuese përveç shkeljeve të rënda morale e politike që janë bërë deri sot.
Fatos Nano i bën apel shumicës qeverisëse që të respektojë e vlerësojë me qetësi e seriozitet te thellë, thirrjen e vazhdueshme të partnerëve tanë euroatlantikë për të mos e kthyer proçesin e zgjedhjes së Presidentit në një proçes të zgjedhjes së një Ministri të Kabinetit. (LajmeShqip.com)