Lajme Shqip e Shtunë, 09 Qershor 2012 14:16

Tiranë – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha sot në një konferencë për shtyp se, “një takim tjetër i nivelit të lartë mes Kryeministrit Sali Berisha dhe Kryetarit të PS-së, Edi Rama do të bënte të mundur që gjatë 48 orëve të ardhshme të arrihet konsensusi, në mënyrë që ditën e hënë të votohet presidenti i ri”.

“Si kryetar i LSI-së dua të theksoj nevojën e domosdoshmërisë së përpjekjeve për të arritur konsensusin dhe për të rritur përgjegjësinë dhe përqendrimin e të gjithë aktorëve për t’i dhënë fund kapriçove pas një momenti shumë të rëndësishëm, që kemi lënë pas, ku kemi djegur tre raunde dhe tre mundësi për konsensus”, theksoi Meta.

Sipas tij, çështja e zgjedhjes së presidentit ka sjellë zhvillime nga më të ndryshmet, por pa asnjë diksutim ka qenë dhe do të jetë rezultat i një procesi tepër publik, transparent, të debatueshëm dhe të negociueshëm. “Përpjekjet për të gjetur një konsensus sa më të gjerë edhe me opozitën nuk do të reshtin, por do të vazhdojnë. Në këtë drejtim, dua të nënvizoj seriozitetin dhe vendosmërinë që maxhoranca ka pasur që me nisjen e këtij procesi duke ecur drejt konsensusit me opozitën, pasi edhe kandidatura e propozuar nga maxhoranca e zotit Zaganjori kishte vetëm këtë qëllim. Tërheqja e djeshme e Zaganjorit, pas konsumimit të raundit të tretë, ishte tregues i seriozitetit të tij si kandidat për të qenë një president i të gjithëve dhe për të patur konsensusin e opozitës, të cilin nuk e kërkuam vetëm ne në emrin e tij, por të cilin e kërkoi edhe ai vetë tek kryetari i PS-së”, tha Meta.

Natyrisht, vijoi ai, përpjekjet për konsensus që kanë afërsisht dy javë tashmë, janë të limituara për shkak të kohës, por përpjekjet tona do të jenë shumë serioze gjatë ditës së sotme dhe të nesërme. I pyetur nga gazetarët nëse ka emra konkretë për President, Meta u shpreh se, “maxhoranca pasi diskutoi për shumë emra u përqendrua tek një emër me bindjen e plotë që kishte të gjitha cilësitë dhe tiparet për të fituar konsensusin e opozitës, pra të ish maxhorancës së dikurshme, që e kishte votuar për anëtar të Gjykatës Kushtetuese”. “Tani jemi në një moment reflektimi, padyshim që emra ka, por këtu nuk kam parasysh emra konkretë dhe padyshim që vendi do të ketë një president dhe do të ketë zgjidhje për këtë çështje shumë shpejt”, vijoi ai.

Kreu i LSI-së, theksoi se, “janë përjashtuar emrat politikë për arsye të paragjykimeve ndaj politikanëve të caktuar, por është bërë një përpjekje për emra dhe profile, të cilët mund të gjenin më lehtë konsensusin. “Shqipëria ka politikanë që mund ta realizojnë shumë mirë detyrën e Presidenti të Republikës, por konflikti që kemi pasur sidomos gjatë viteve të fundit e ka bërë të vështirë gjetjen e konsensusit për emra politikë, por nëse kjo gjë do të ishte e mundur pse jo, do të tentohet për emra sa më konsensualë”.

Meta tha se, “besoj se gjatë ditës së sotme do të bëjmë konsultime si drejtues të partive të maxhorancës dhe shpresoj që gjatë ditës së nesërme të jetë e mundur të realizohet edhe një takim i nivelit më të lartë në mënyrë që të shkohet drejt një zgjidhje konsensuale për ditën e hënë”. LSI, vijoi ai, nuk ka përjashtuar asnjë emër sepse nuk paragjykon askënd, ajo ka investuar që në fillim të këtij procesi dhe do investohet deri në fund për një proces kushtetues dhe për një president konsensual.

Pyetjes nëse LSI do të nxjerrë emra konkretë, Meta i’u përgjigj se, “për LSI-në, qëllimi kryesor është që ky proces të kurorëzohet në mënyrë kushtetuese dhe me një emër sa më konsensual, që do të garantojë jo vetëm një komunikim sa më normal mes maxhorancës e opozitës dhe do të mbushë të gjitha funksionet e tjera, që janë të lidhura me postin e presidentit”. (LajmeShqip.com)