Lajme Shqip e Martë, 24 Korrik 2012 18:00

Tiranë (PLOTESUAR 24 Korrik 19:50)- Bujar Nishani u betua sot si Presidenti i 6-të i Republikës së Shqipërisë. Me dorën në Kushtetutë, Nishani u betua se do t’i bindet  ligjeve të vendit. 

Në fjalën e parë të tij, ai premtoi reformimin e drejtësisë, bashkëpunimin me të gjitha forcat politike që vendi të marrë statusin kandidat në BE. “Ta bëjmë jetën tonë më të lirë”, deklaroi ai, duke thënë se do jetë një president mbi palët. Nishani: Sot u betova mbi Kushtetutë për të respektuar ligjet, për të mbrojtur lirinë dhe interesat e qytetarëve dhe vendit tim.

Fjalimi zgjati rreth 30 minuta, ndërsa ceremonia u zhvendos në presidencë ku Bamir Topi i dorëzoi detyrën në prani të 500 të ftuarve. Gjithçka nisi me dorëzimin e Kushtetutës tek pasardhësi dhe më pas një takim kokë më kokë në zyrën presidenciale mes Bamir Topit dhe Bujar Nishanit. Pas fjalës së presidentit të ri, Bamir Topi u largua përfundimisht nga Presidenca, por me protokollin e ndryshuar ai nuk mbajti fjalim lamtumire.

Ceremonia e dorëzimit të detyrës ndryshe nga 2007, u mbajt në oborrin e presidencës dhe jo të Pallatit të Brigadave. Ceremonia u përmbyll me një kokteil në ambientet e brendshme të presidencës. Në ceremoni edhe kreu i PS-së Edi Rama.

TROKITJE GOTASH, URIME PER PRESIDENTIN NISHANI
Ora 19:50-
Presidenti i Republikës Bujar Nishani së bashku me Zonjën e Parë dhe fëmijët zunë vendet e tyre në shkallët e Presidencës. Presidenti i Republikës, djathtas Zonja e Parë, majtas vajza dhe në krah të Zonjës së Parë djali, duke pasur kështu mundësi për foto. Pas përfundimit të fotove, Presidenti i Republikës dhe Familja e Tij, lëvizën drejt sallës ku u mbajt pritja me rastin e marrjes së detyrës. Të ftuarit u priten në hyrjen e Sallës “Skënderbeu” të Presidencës nga Protokolli i Shtetit, ku përshëndesin dhe urojnë Presidentin e Republikës.

LARGOHET BAMIR TOPI NGA PRESIDENCA
Ora 19.44- Pas fjalës së Presidentit të Republikës Bujar Nishani, Bamir Topi përshëndetet me Bujar Nishanin me shtrengrim duarsh. Bamir Topi sipas protokollit të ndryshuar nuk mbajti fjalim. Sh.T.Z.Bamir Topi u përcoll deri në fund të shkallëve tek makina nga Drejtori i Protokollit të Shtetit. Shoqërohej nga bashkëshortja. Makina e ish-Presidentit shoqërohej nga katër motoçikletat ceremoniale dhe nga xhami i hapur mbrapa, përshëndeti me dorë të gjithë të ftuarit.

NISHANIT I DOREZOHET KUSHTETUTA
Ora 19:35- Ish Presidenti i Republikës, Bamir Topi bashkë me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, dolën nga zyra dhe u drejtuan drejt hyrjes kryesore të Presidencës. Të dy Presidentët zunë vend në krye të shkallëve të Presidencës shoqëruar nga Drejtori i Protokollit të Shtetit sipas skemës përkatëse. Ekzekutohet Himni Kombëtar nga Banda e Ushtrisë, i pasuar nga 21 të shtëna topi me interval 30 sekonda nga njëra-tjetra. Gjatë gjithë kohës, Flamuri Kombëtar qëndroi i ngritur. Truproja e Nderit parakaloi para Presidentit të Republikës, Bujar Nishani. Z. Bashkim Dedja, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, lëvizi drejt Presidentit të Republikës Bujar Nishani, për t’i dorezuar në mënyrë simbolike Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese tha: I nderuar Z.President, kam nderin t’ju dorëzoj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Z.Bashkim Dedja i dorëzon Kushtetutën, Presidentit të Republikës Bujar Nishani.

NISHANI NE PRESIDENCE, TAKON TOPIN
Ora 19:32 Presidenti i Republikës Bujar Nishani mbërrin në Presidencë. (Hyrja u bë nga krahu i zyrave të Presidencës). Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u takua me ish-Presidentin e Republikës, Bamir Topi.

NISHANI: TA BËJMË JETËN TONË MË TË LIRË
Ora 18:50- Në fjalën e tij të parë si Presidenti Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani u shpreh se do jetë President i shtetit 100-vjeçar, ndërsa konfirmoi vullnetin për të zbatuar me përpikëri ligjet e vendit. Reforma në drejtësi, ishte një pikë kyce, ku kreu i ri i shtetit, njëherësh edhe kreu i KLD, premtoi se do ta bënte sistemin e drejtësisë funksional dhe transparent. 

“Nga ky podium i nderuar më lejoni të shpreh mirënjohje për mesazhet dhe përshëndetjet për zgjedhjet e Presidentit të Shqipërisë nga ana e Sekretares Amerikane Klinton, presidenti i BE-së Barroso dhe homologët e tjerë. Sot u betova mbi Kushtetutë për të respektuar ligjet, mbrojtur liritë dhe interesat e qytetarëve të vendit itm. Këtë detyrë po e marr përsipër në 100 vjetorin e pavarësisë. Rruga jonë nuk ka qënë e lehtë, por e mbushur me sakrifica dhe pengesa. Ja kemi dalë dhe jemi në rrugën e duhur…Gjatë 20 viteve të fundit përpjekjet e bëra kanë sjellë një Shqipëri më të lirë, më demokratike dhe më të zhvilluar. Sot Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. Sot shqiptarët lëvizin pa pengesa. Shqipëria ka mjaft sfida me të cilat duhet të përballemi, detyrimin parësor e kanë institucionet”, tha ai.

Marrja e statusit të vendit kandidat në vjeshtë, ishte një nga prioritetet e presidentit të ri, Bujar Nishan. “Do jem i angazhuar për krijimin e të gjitha kushteve të nevojshme për të marrë në mënyrë të merituar statusin e vendit kandidat në BE”, tha ai.

Bashkëpunimi me të gjitha palët politike ishte një nga premtimet e kreut të ri të shtetit.  “Dyert e presidencës do jenë të hapura në 5 vite si për mazhorancën edhe për opozitën. Misioni im është i njëjtë, ta bëjmë vendin tonë më të lirë e më demokratik, më të zhvilluar. Ta bëjmë jetën e fëmijëve tanë më të qetë e më të sigurte. Zoti e bekoftë Shqipërinë, zoti i bekoftë shqiptarët”, tha ai. (LajmeShqip.com)

****************************************

Tiranë – Betohet me dorë mbi Kushtetutë e Shqipërisë, Presidenti i ri i Republikes zoti Bujar Nishani. “Betohem! Zoti më ndihmoftë!”, ishin fjalet e para te zotit Nishani si kreu i ri i vendit.

Presidenti Nishani, ne fjalen e rastit ne podiumin e Kuvendit shprehu kenaqesine per marrjen e postit pikerisht ne 100-vjetorin e Pavaresise. “Shqiperia ka mjaft sfida qe duhen zgjidhur. Detyrimi kryesor u perket institucioneve tona. Presidenti i Republikes ka nje angazhim te rendesishem per te realizuar reformen ne fushen e drejtesise. Per fat te keq nje raport te theksuar mosbesimi mes qytetareve dhe sistemit te drejtesise. Vendosja e ketij besimi do te jete hapi me i mire”, tha Nishani.

Me pas ai do t’i drejtohet Presidences, per t’u takuar me Presidentin në detyrë Bamir Topi. Takim që do të zgjasë disa minuta në zyrën e këtij të fundit, për të dalë së bashku dejt hyrjes kryesore të presidencës.

Rreth orës 19:30 të dy presidentët do të zënë vënd në krye të shkallëve të presidencës të shoqëruar nga kreu Protokollit të Shtetit. Pas dëgjimit të himnit kombëta, dhe 21 të shtënave me top, kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja lëviz në drejtim të presidentit Nishani për t’i dorëzuar në mënyrë simbolike Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Protokolli i Shtetit nuk ka përfshirë në ceremoni një fjalim lamtumire për presidentin Topi, ndërsa fjalimi i parë si president i Republikës nga Bujar Nishani pritet të mbahet në orën 19:44 minuta.

11 minuta më vonë Bamir Topi do të shtërngojë duart me Bujar Nishanin, duke u përcjellë deri në fund të shkallëve të Presidencës nga kreu i Protokollit të Shtetit. Momenti largimit të Bamir Topit nga Presidenca do të kryhet nën shoqërimin e 4 motorçkletave dhe nga makina me xhama të hapur ai do të përshëndesë me dorë të ftuarit në tribunën A. Dhe në fund presidenti Nishani sëbashku me bashkëshorten dhe fëmijët do të qëndrojnë për pak minuta përpara hyrjes Presidencës për të kryer fotot e rastit. Sa kaq përgatitje po kryhen edhe në bulevardin përpara presidencës ku gjatë kohës së kryerjesë së ceremonisë nën masa të rrepta sigurie do të ndalohet lëvizja e automjeteve.

Nishani për AFP: Prioritet sistemi i drejtësisë

Presidenti i ri i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka dhënë një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve, AFP, pak përpara betimit si presidenti i ri i Shqipërisë.

“Sistemi i drejtësisë do të jetë prioriteti im. Kam vendosur të angazhohem plotësisht në favor të reformave në sistemin e drejtësisë, që mbetet një faktor kyç për integrimin e Shqipërisë në BE,” tha Nishani.

“Ka shumë akuza për korrupsion, disa gjykatës dhe prokurorë janë akuzuar se nuk kanë integritet moral dhe profesional,” vijoi Nishani.

Ndërkohë në lidhje me integrimin, Nishani u shpreh: Pavarësisht ndarjeve aktuale, anëtarësimi në Bashkimin Evropian, që është dëshirë e 90 për qind të shqiptarëve, duhet të bashkojë të gjithë forcat politike.

“Jam optimist se Shqipëria do të arrijë të marrë këtë vjeshtë statusin e kandidatit. Është e qartë se integrimi në Bashkimin Evropian është një proces që na detyron të punojmë të gjithë shumë për të merituar anëtarësimin”, theksoi presidenti i sapozgjedhur, Bujar Nishani.

Nishani është shprehur ndër të tjera, se do të jetë jashtë çdo ndikimi të çdo force politike, duke theksuar si shumë të rëndësishëm për të,  bashkëpunimin mes maxhorancës dhe opozitës. (T.Ch)