Lajme Shqip e Premte, 15 Qershor 2012 18:07

Tiranë – Këshilltarët socialistë në bashkinë e Tiranës i kërkojnë prokurorisë të nisë sa më parë hetimin për prerjen e një sasie të madhe pemësh në Parkun Kombëtar, pranë rrugës së Elbasanit.

Kryetari i grupit të këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi kanë qenë sot paradite pranë zonës ku ditën e djeshmë janë prerë dhjetra pemë, përballë fakultetit të histori – filiologjisë në kryeqytet. “I kërkojmë kryebashkiakut Basha të bëjë publik vendimin se ku e ka bazuar këtë ndërhyrje të pandodhur më parë. Këshilltarët e opozitës nuk kanë asnjë dijeni apo vendimarrje për goditjen e Parkut Kombëtar. Basha të mos fshihet pas njoftimeve për shtyp, pasi ky është një akt i papranueshëm”, deklaroi Dalipi.

Sipas të majtëve, prokuroria duhet të administrojë menjëherë provat e veprimit të bashkisë. “I kërkojmë prokurrosë të nisë hetimet e mnjëhershme për të bërë transparencën që kërkojnë qytetarët”,deklaroi kreu i këshilltarëve socialistë në bashkinë e Tiranës.
********
Bashkia e Tiranës reagoi sot ndaj deklaratës së këshilltarëve socialistë të kësaj bashkie, të cilët akuzuan bashkinë për dëmtimin e pemëve të Parkut të Liqenit Artificial për t’i hapur rrugë punimeve për zgjerimin e Rrugës së Elbasanit.

Në një deklaratë për shtyp Bashkia shpreh keqardhjen që “përpara interesit qytetar PS ka zgjedhur konfliktin politik, të pavërtetat dhe abuzimin. Zgjerimi i rrugës së Elbasanit është një prioritet për qytetin tonë, i cili vazhdon të vuajë pasojat e zhvillimit të paplanifikuar”.
Në deklaratë theksohet se “zgjerimi i  rrugës së Elbasanit do të lehtësojë ndjeshëm trafikun, do të ulë koston e lëvizshmërisë, do të ndikojë në reduktimin e ndotjes, do të përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve të Tiranës, do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë  së qytetit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Këto janë interesat e qytetarëve të Tiranës”.

Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në Bashkinë e Tiranës ka nisur punën për zgjerimin e kësaj rruge, një arterie e rëndësishme kombëtare. Kjo rrugë, nga Fakulteti Ekonomik deri tek rreth – rrotullimi i Saukut, me gjatësi 1.7 km do të jetë me 6 korsi 2x8m, me trafikndarëse prej 1.5m, ku është parashikuar dhe gjelbërim, si dhe me trotuarë në të dy anët e rrugës. “Gjithçka është bërë në përputhje me ligjin dhe interesat e qytetarëve. I bëjmë thirrje PS, të ndalë frymën e konfliktit politik dhe të orientohet drejt interesit të qytetarëve të Tiranës dhe mbarë shqiptarëve që përdorin infrastrukturën e kryeqytetit”, thuhet në deklaratën e Bashkisë. (LajmeShqip.com)