Lajme Shqip Sunday, 04 March 2012 14:30

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka premtuar të shtunën se do t’i ndërrojë simbolet shtetërore të Kosovës sapo të vijë në pushtet partia që ai e drejton, dhe në vend të tyre do t’i sjellë simbolet e propozuara nga ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Largimin e flamurit dhe himnit shtetëror, që konsiderohen si simbole të sjella nga kryeministri Hashim Thaçi, kryetari i LDK-së ka thënë se do ta bëjë në pajtim me të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe minoritarët.

“Vlerësojmë qind për qind se do të vijmë në pushtet dhe atëherë ne do të zhvillojmë procedura qind për qind demokratike, në mënyrë që flamuri i ardhshëm i Kosovës të jetë flamuri i Dardanisë dhe himni i ardhshëm të jetë himni i Ibrahim Rugovës, por jo me procedura jodemokratike. Nëse pajtohen të gjithë qytetarët e Kosovës, natyrisht kjo kërkon edhe pajtimin e minoriteteve, edhe pëlqimin e faktorëve që na kanë ndihmuar, ne do ta bëjmë me një procedurë të rregullt demokratike. Synimi ynë është se Kosova i meriton ato simbole dhe ato të jenë simbole të Republikës së Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Këtë deklaratë i pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka bërë pak kohë pas përfundimit të Kuvendit të Punës, ku anëtarët e LDK-së e kanë miratuar programin dhe statutin e ri të partisë.