Lajme Shqip Friday, 23 October 2015 08:08

Me qëndrime të betonuara dhe gjuhë të acaruar, që nuk arriti t’i zbusë as dialogu i presidentes Jahjaga, pozita dhe opozita do t’ia mësyjnë edhe seancës së radhës, e cila mbahet sot pasdite.

Partitë në pushtet nuk kanë treguar nëse ka ndryshim skenari përballë bllokadës së paralajmëruar të opozitës,shkruan sot Koha Ditore.

Por gazeta merr vesh se ekziston dakordim mes partnerëve të koalicionit PDK- LDK, me përkrahjen edhe të ndërkombëtarëve, që të zbatohet plotësisht Rregullorja e Kuvendit, e cila parasheh edhe futjen e masave shtesë të sigurisë.

Masa të forta kontrolli për deputetët dhe të tjerët që hyjnë në Kuvend do të ketë në hyrje-daljet e Kuvendit. Por, këto masa në seancën e kaluar nuk kishin ndaluar futjen e gazit lotsjellës prej opozitës, madje me dyfishim doze.