Lajme Shqip Saturday, 24 October 2015 11:03

Përpjekja për të debllokuar Kuvendin e Kosovës, të premten pasdite, ka përshkallëzuar krizën mes koalicionit qeverisës dhe opozitës, duke e zhytur legjislativin e vendit në krizë dhe kaos edhe më të thellë.

Nga ora mes së premtes e së shtunës, një momentum i ri politik është krijuar, shkruan sot Koha Ditore.

Me orë të tëra ka zgjatur loja me nerva.

Subjektet në pushtet përpiqeshin të gjenin rrugë për të mbajtur seancën e Kuvendit, ndërsa opozita bllokonte çdo mundësi.

Dhe, kur Kryesia e Kuvendit, nën udhëheqjen e kryeparlamentarit Kadri Veseli, vendosi që përmes sigurimit policor të rrethojë foltoren dhe pjesën ku qëndron kryeparlamentari e kabineti qeveritar, për ta pamundësuar kështu bllokimin nga koalicioni VV-AAK-Nisma, opozitarët sërish aktivizuan gaz lotsjellës brenda sallës.

Derisa rrëmuja e krijuar brenda Kuvendit u transformua në kaos të plotë, jashtë tij përkrahësit e opozitës u përplasën me njësitet e policisë, duke përshkallëzuar konfliktin edhe më shumë me hedhje gurësh e kokteje molotovi, për të krijuar një imazh të një krize shumë të rëndë për qytetarët e Kosovës.

Seanca e nisur pasditen e së premtes, më në fund është përmbyllur rreth orës 2 të së shtunës, por është mbajtur pa praninë e opozitës dhe pa u krijuar mundësinë gjithë medieve që ta përcjellin atë. Është organizuar në një bufe që ndodhet në katin më të lartë të godinës së Kuvendit.

Për rreth 14 orë, tempulli i demokracisë është kthyer në betejë muskujsh midis pushtetit e opozitës.