Lajme Shqip Wednesday, 28 October 2015 13:04

Edicioni europian i Politico i ka kushtuar vëmendje nënshkrimit të MSA’së dje në Strasbourg. Sipas politico.eu, nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE’në të martën – është hap i parë drejt anëtarësimit ende të largët në BE. Express sjell me shkurtime shkrimin në të cilën citohet edhe Ministri i Integrimeve Bekim Çollaku, i cili e pranon se Kosova është shumë larg anëtarësimit në BE.

Marrëveshja përforcon statusin e brishtë ndërkombëtar të Kosovës dhe mund të ndihmojë në stabilizimin e brendshëm të saj. Kosova nuk njihet ende nga Kombet e Bashkuara dhe pesë shtetet e BE’së; mbetet thellësisht e ndarë në vija etnike; akuzat serioze për krime lufte që implikojnë elitën politike mbesin të pazgjidhura; në tre javët e fundit seancat e parlamentit janë ndërprerë nga opozita, e cila ka hedhur gaz në Parlament. Shkrimin në origjinal mund ta gjeni këtu

Procesi integrues në BE “tani ka nisur zyrtarisht” i ka thënë Politicos Ministri i Integirmeve të Kosovës Bekim Çollaku. “Është një konfirmim i qartë se Kosova mund të bëhet një ditë anëtare e BE’së”.

MSA pritet të hyjë në fuqi në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, duke hequr gradualisht tarifat ndaj eksporteve të Kosovës në BE, duke vendosur rregullativat e BE’së në fushat që përfshijnë ndihmën shtetërore, konkurrencën, dhe pronën intelektuale. Po ashtu, mbështet reformat që nga gjyqësori deri te energjia.

Politico shkruan se Kombet e Bashkuara nuk e njeh Kosovën për shkak të vetos ruse. Brukseli është duke punuar për t’i normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy armiqve, një strategji që i ka ndihmuar Serbisë që të ketë marrëdhënie më të afërta me BE’në. Marrëveshjet e nënshkruara më 2013 dhe ajo e gushtit i kanë dhënë Kosovës një kontroll më të madh teorik në veriun e dominuar nga serbët, duke e rritur autonominë për komunat serbe. Serbisë i është dhënë statusi i kandidatit për anëtarësim në BE, në janar të vitit 2014.

Sido që të jetë, marrëveshjet me Serbinë e kanë nervozuar opozitën nacionaliste të Kosovës.

“Nënshkrimi i MSA’së nuk do të bëjë shumë për uljen e tensioneve ndërmjet Qeverisë dhe opozitës, e cila në javët e fundit ka manifestuar veten në formën e sulmeve me gaz lotsjellës brenda parlamentit të Kosovës”, ka thënë një diplomat perëndimor në Prishtinë.

“Ka një ndjenjë të fuqishme në Kosovë se Beogradi po shpërblehet më shumë për kompromiset në negociatat e Brukselit”.

Diplomati ka qenë i kujdesshëm rreth MSA’së duke thënë se nuk do të sjellë përfitime të menjëhershme dhe të prekshme për qytetarët e Kosovës.

“Ekonomia e Kosovës thjesht nuk është e përgatitur për t’i absorbuar mundësitë e reja tregtare që tani ofrohen;pavarësisht optimizmit të shprehur nga disa ministra. Raporti i ardhshëm i progresit do të demonstrojë sa larg është Kosova përballë shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor” ka thënë diplomati.

Kosova me 1.8 milonë banorë është një nga vendet më të varfra të kontinentit. Ka një GDP per capita $3,990 sipas të dhënave të Bankës Botërore, që është më e vogël se tek secili fqinj i saj i dalë nga ish –Jugosllavia ndërkohë që papunësia është 35 përqind.

Çollaku e pranon se Kosova është ende shumë larg nga anëtarësimi në BE.

“Ne nuk do të aplikojmë ende për anëtarësim, ne vetëm po e bëjmë hapin e parë që do të na ndihmojë t’i përmbushim kriteret politike, juridike dhe ekonomike” ka thënë ai.

“Ne e kuptojmë se atmosfera në Europë tani nuk është më e mira në kuptimin e zgjerimit por me kalimin e kohës kur Kosova do të jetë e gatshme për t’iu bashkuar Unionit, rrethanat politike sigurisht se do të ndryshojnë”, ka theksuar Çollaku.