Lajme Shqip Saturday, 19 April 2014 16:43

Ndërsa u mendua se vrasja e Nimet Zyberit u zbardh nga drejtësia italiane, fakte të reja dalin në dritë. Mediat italiane raportojnë sot se policia ka arrestuar edhe 1 person tjetër, përveç autorit të ngjarjes Paulin Nikajt, të përfshirë në vrasjen e 26-vjeçarit shqiptar në Rimini të Italisë. 

Sipas policisë është arrestuar xhaxhai i vrasësit, Adriatik Nikaj, 50 vjeç, me vendbanim në Misano të Italisë. Ky i fundit dyshohet se ka organizuar të gjithë skenën e vrasjes së Zyberit, së bashku me nipin Paulin Nikaj.

Ngjarja ndodhi më 17 mars, kur Nimet Zyberi u qëllua shtatë herë me pistoletë, nga shtetasi Paulin Nikaj. Ky i fundit priti momentin kur Zyberi po dilte nga një supermarket në Rimini të Italisë, ku sapo kishte bërë pazaret me bashkëshorten e tij, dhe e qëlloi me pistoletë në sy të bashkëshortes së tij. Por e gjithë ngjarja është parë edhe nga dy fëmijët e mitur të Zyberit, të cilët në momentin e vrasjes ndodheshin në brenda në makinë, e cila ndodhej e parkuar jashtë supermarketit. 

Pas dëshmisë së bashkëshortes së Zyberit, policia arriti të identifikonte vrasësin, Paulin Nikaj 35 vjeç, dhe më datë 12 prill bëri të mundur edhe arrestimin e tij. Arrestimi i këtij të fundit u bë në kantonin e Bernit në Zvicër, pasi ishte larguar për t’i shpëtuar drejtësisë italiane.