Lajme Shqip Saturday, 18 June 2011 15:12

Prishtinë, Shkup – Pas marrjes së plotë të përgjegjësisë nga KFOR-i të vijës kufitare me Shqipërinë, Policia e Kosovës (PK) ka marrë përgjegjësinë edhe për pjesën e fundit të vijës kufitare me Maqedoninë.

Të shtunën në zonën kufitare të Zllakuqanit të Ulët është organizuar një ceremoni zyrtare e pranim–dorëzimit të vijës kufitare nga KFOR-i tek Policia e Kosovës.

Komandanti i KFOR-it, gjeneral Erhard Buhler, në këtë ceremoni zyrtare bëri finalizimin e procesit të pranim-dorëzimit të vijës kufitare te drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi. Policia e Kosovës pas marrjes së plotë të përgjegjësisë nga KFOR-i të vijës kufitare me Shqipërinë, të cilën e ka realizuar kohë më parë, tani pranoi edhe marrjen e përgjegjësisë së plotë të vijës kufitare me Maqedoninë dhe në një të ardhme të afërt pritet te vazhdoje marrjen e përgjegjësive tjera me Malin e Zi.

Në këtë ceremoni, të pranishëm përveç komandantit të KFOR-it dhe drejtorit të Përgjithshëm të PK-së, ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare si edhe ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska.