Lajme Shqip Friday, 13 January 2012 23:29

Prishtinë-Me qëllim të sqarimit dhe informimit të drejtë të opinionit publik lidhur me protestën e paralajmëruar për nesër nga subjekti politik Vetëvendosje, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, duke hartuar urdhrin operativ të quajtur “Lëvizja dhe Qarkullimi i Lirë”.

Qëllimi strategjik i këtij urdhri operativ është siguria e përgjithshme në Republikën e Kosovës, mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit; shtimi i masave të sigurisë për qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave përgjatë rrugëve nga vendkalimi kufitar Merdare për në Prishtinë e tutje, si dhe nga vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë për në Gjilan e tutje si dhe moslejimi i vendosjes së pengesave në rrugë dhe në vendkalime kufitare, etj.

Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit, do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, lëvizjen e lirë të të gjithë qytetarëve si dhe mallrave përmes vendkalimit kufitar Merdare dhe Dheu i Bardhë dhe në terë territorin e Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës, po ashtu, bën të ditur se nuk do të lejojë asnjë bllokim të rrugëve si dhe asnjë qasje e protestuesve afër vendkalimeve kufitare dhe as bllokimi i tyre sipas tendencës së paralajmëruar nga përfaqësuesit e Vetëvendosjes.

Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që t’u shmangen të gjitha veprimeve të kundërligjshme dhe të mos bien pre e provokimeve, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.