Lajme Shqip Saturday, 18 June 2011 10:51

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po debaton për miratimin e pr/aktit për zbatimin e vendimit të Kolegjit Zgjedhor për hapjen e të gjitha kutive dhe numërimin e fletëve të hedhura në kutinë e gabuar, për bashkinë Tiranë.

Momenti më i debatueshëm në mbledhjen e sotme, lidhet me pikën tre të pr/aktit të propozuar nga administrata e Komisionit, në të cilët thuhet se “KQZ, për numërimin dhe rivlerësimin e votave, që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës Qendër Votimi në kutitë për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Këshillin e Bashkisë Tiranë, kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe Këshillin e Njësise Bashkiake do të ngrejë tetë grupe numërimi”.
Kjo pikë u kundërshtua nga përfaqësuesit e opozitës, sipas të cilëve kodi zgjedhor nuk përcakton që grupi i numërimit të bëjë vlerësimin dhe tabulimin e votave. “Mendoj që në këtë pikë (pika 3) duhet pasur kujdes pasi është vetë Kolegji Zgjedhor, që sqaron se do të jetë KQZ-ja që do të bëjë vlerësimin e votës, pra ai dhe jo inspektorët e KQZ-së”, tha Gjoncaj.
Në të njëjtën linjë u shpreh dhe nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, e propozuar nga opozita, që u shpreh se grupet e numërimit nuk mund të vlerësojnë votat e kontestuara, pasi kjo është një procedurë që i takon KQZ-së 
Nga ana e tij përfaqësuesi i PD-së Njazi Kosovrasti kërkoi të saktësohet e gjithë metodika që do të ndiqet nga KQZ për të çuar në vend vendimin e Kolegjit Zgjedhor.

*************************************************************

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi sot shqyrtimin e p/aktit për hapjen e të gjitha kutive dhe numërimin e votave të kontestuara, të hedhura në kutitë e gabuara për Bashkinë Tiranë, në zbatim të vendimit të marrë nga Kolegji Zgjedhor.

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, në fillim të mbledhjes tha se në “zbatim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor sot KQZ do të marrë një akt procedurial për mënyrën se si do të operojë më tej”.

P/akti nuk arriti të miratohej të premten, siç ishte parashikuar, pasi përfaqësuesit e PS-së në KQZ kërkuan kohën e nevojshme për t’u njohur me aktin, i cili, sipas tyre, ishte shpërndarë vetëm pak çaste para fillimit të mbledhjes.
P/akti i hartuar nga administrata e KQZ-së parashikon hapjen e katër kutive që ndodhen në 368 qendrat e votimit, ku përfshihen kutia për kryetarin e bashkisë, për këshillin bashkiak, për kryetarin e minibashkisë dhe për këshillin e minibashkisë.