Lajme Shqip Monday, 20 June 2011 09:09

Prishtinë – Pas një sëmundjeje të rëndë që prej disa muajsh, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Nekibe Kelmendi, ka ndërruar jetë.

Lajmin për vdekjen e saj e ka konfirmuar për mediat në Kosovë, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

Në Qeverinë e kaluar, Nekibe Kelmendi ishte ministre e Drejtësisë, dhe njëkohësisht kryente funksione të larta partiake në LDK.

Në vitin 1999, ditën e parë pas fillimit të bombardimeve, forcat serbe ia vranë bashkëshortin – avokatin e njohur dhe aktivistin e të drejtave të njeriut, Bajram Kelmendi, si dhe të dy djemtë e saj, Kushtrim e Kastriot Kelmendi.

 

Prishtinë – Nekibe Kelmendi lindi në Pejë në vitin 1944, ku kreu shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa Fakultetin Juridik në Prishtinë. Për shumë vite ishte gjyqtare dhe ushtroi profesionin e avokates në Prishtinë. Nekibe Kelmendi ishte një nga nënshkrueset e aktit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës më 23 dhjetor 1989 dhe menjeherë u bë anëtare e Kryesisë të partisë. Por edhe më vonë do të jetë anëtare e forumeve më të larta të LDK-së: anëtare e Kryesisë qendrore, e Këshillit të Përgjithshëm, nënkryetare dhe sekretare e përgjithshme. Ishte depetute e Kuvendit të Kosovës në të gjitha legjislaturat. Pas luftës, një kohë ishte bashkëkryesuese e Departamentit të Drejtësisë nën UNMIK-un, ndërsa në qeverinë e kaluar të koalicionit ishte Ministre e Drejtësisë. Nekibja ka qenë bashkëshorte e avokatit të njohur Bajram Kelmendi, të cilin forcat okupuese serbe në ditën e parë të bombardimeve të NAT0-s në Kosovë e ekzekutuan në mënyrë mizore, bashkë me dy djemtë, Kreshnikun dhe Kastriotin.

Bëhet e ditur se ceremonia mortore e varrimit të Nekibe Kelmendit do të zhvillohet sot, në orën 17.00, në varrezat e qytetit të Prishtinës.

Kryeministri Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Kelmendi, Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe LDK-së, me rastin e vdekjes së znj. Nekibe Kelmendi, ish-ministre e Drejtësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës mban sot paradite një mbledhje me rastin e vdekjes së deputetes së Kuvendit të Kosovës, Nekibe Kelmendi.

Ndërsa, cermeonia e vënies së gurthemelit të Pallatit të Drejtësisë që ka qenë e paraparë të mbahet sot është shtyrë për datën 22 qershor për shkak të vdekjes së ish-Ministres së Drejtësisë dhe deputetes së Kuvendit të Kosovës, znj. Nekibe Kelmendi.