Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 13:57

Tiranë – Policia e Shtetit, në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, po punon për zbardhjen e denoncimit të bërë një ditë më parë në Policinë e Tiranës nga gruaja e kryebashkiakut të Kavajës, Griselda Roshi, e cila pretendon se mbrëmjen e së martës, pranë stadiumit “Selman Stermasi”, në Tiranë,  është rrëmbyer me makinë nga disa persona.

Sipas versionit të 27 vjeçares Roshi, gjatë kohës që është mbajtur peng, jashtë kushteve normale, ajo ka bërë lindje të detyruar.

Pas kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda ,e cila po punon për të zbardhur të vërtetën e kësaj ngjarjeje, 27 vjeçarja Roshi është paraqitur mëngjesin e sotëm në ambientet e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për t’iu nënshtruar ekzaminimeve të nevojshme.

Drejtori i këtij Institucioni, Besim Ypi, u shpreh për mediat se nga ekzaminimet paraprake është konstatuar se në trupin e bashkëshortes së kryebashkiakut Roshi nuk ka shenja dhune.

Lidhur me ekzistencën e shtatzanisë, kryerjen e lindjes së detyruar jashtë kushteve normale, grupi i ekspertëve po  punon për kryerjen e ekzaminimeve të nevojshme.

****************************************************

 

Tiranë – Griselda Roshi, bashkëshortja e Elvis Roshit, kreut të ri të Bashkisë së Kavajës, iu nënshtrua mëngjesin e së enjtes një ekzaminimi mjeko-ligjor në institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë.

Ky ekzaminim është kërkuar nga prokuroria e Krimeve të Rënda, në kuadër të hetimit të nisur pas denoncimit të 28 vjeçares Roshi për një rrëmbim disa orësh të saj nga persona të panjohur, dy ditë më parë në Tiranë.

Sikurse pretendohet në denoncimin e bërë në polici, gjatë kohës që është mbajtur peng, 28 vjeçarja ka bërë  një lindje të detyrueshme, ndërsa nuk dihet fati i foshnjes së saj.

Ndërkohë, prokuroria e Krimeve te Renda, në një njoftim për shtyp, pak minuta më parë, ka rrëzuar versionin  për një rrëmbim të mundshëm të Griselda Roshit. “Në bazë të analizës të veprimeve hetimore të deritanishme, u arrit në konkluzionin se nuk ka elementë që të vërtetojnë rrethanat e pengmarrjes së shtetases Griselda Roshi, çfarë hedh poshtë pistën e variantit të rrëmbimit dhe marrjes peng të fëmijës së sapolindur”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, po punon për të sqaruar më tej arësyet dhe motivimin e denoncimit. Mësohet se për llogari të hetimit të çështjes, në orët e fundit janë shoqëruar në policinë e Tiranës disa persona.