Lajme Shqip Saturday, 18 June 2011 14:08

Tiranë – “Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka vendosur të ketë një proces bashkëbisedimi me qytetarët shqiptarë për të përçuar mesazhin e fitores në të gjithë zonat elektorale ku PS pati rezultate pozitive, por edhe aty ku PS duhet të kishte rezultate më të mira”, u shpreh në përfundim të Asamblesë të sotme të Partisë Socialiste, Sekretari Organizativ i saj, Blendi Klosi.

Sipas tij, “në 2 javët në vazhdim do të ketë një shpërndarje të të gjithë anëtarëve të Asamblesë, të deleguar në të gjithë strukturat e PS-së, për të filluar analizën me këto struktura, për të filluar debatin me këto struktura dhe për të dëgjuar çdo mendim, ide apo kontribut që do të japin mbështetësit e PS për të përgatitur një strategji të re elektorale në zgjedhjet e ardhshme, që për PS-në do të jenë sa më shpejt, pasi vendi është në një krizë të thellë ekonomike dhe institucionale”.

“Do të ketë një tjetër mbledhje Asambleje pas dy javësh, ku do të diskutohen raportet dhe strategjitë e PS për të vijuar luftën e saj politike”, tha Klosi.

“PS sot qeveris në 2/3 e vendit. Qeverisim mbi 40 bashki nga 65 në total. Qeverisim 9 nga 12 bashki qëndër qarku. Kemi një rezultat fitues në Tiranë, që po kërkon të manipulohet”, u shpreh Klosi.

Ai tha se  në vjeshtë do të ketë një Kongres zgjedhor, që do të rivotojë strukturat drejtuese të partisë. “Në bazë të statutit të partisë, zgjedhjet bëhen njëherë në 4 vjet. Janë bërë në vitin 2007 dhe do të bëhen sërish këtë vit, duke dëshmuar edhe një herë se PS është një parti që bën zgjedhje për strukturat e saj, sipas statutit të saj”, tha Klosi.

Në lidhje me rezultatin e KQZ-së për Tiranën, Klosi tha se kjo është një Asamble pune, që diskuton për linjat politike të PS.

“PS përshëndeti të gjithë kryetarët fitues, sigurisht dhe për zgjedhjet në Tiranë. Përsa i përket betejës politiko-juridike për Bashkinë e Tiranës kjo natyrisht do të jetë pjesë e strukturave përkatëse të deleguara nga kjo Asamble, për të menaxhuar të gjithë situatën në Tiranë”, përfundoi ai.

Asamblea e Partisë Socialiste ishte e para mbledhje e një forumi të lartë të saj pas zgjedhjeve vendore të 8 majit.

*************************************************

Tiranë – Partia Socialiste mblodhi sot Asamblenë Kombëtare, e para mbledhje e një forumi të lartë të saj pas zgjedhjeve vendore të 8 majit.

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama paralajmëroi në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së se “opozita nuk do të heqë dorë nga protestat dhe demonstratat”, dhe se “ato do të jenë mjeti i saj i pandalshëm për shprehjen e revoltës ndaj regjimit”.

“Mblidhemi pas një fitoreje të madhe në zgjedhjet e 8 majit, në 2/3-at e vendit, ndërkohë që një farsë e madhe vazhdon për të grabitur fitoren tonë në Tiranë”, u shpreh Rama.

Sipas Ramës pjesëmarrja masive në këto zgjedhje është tregues i punës së mirë që ka bërë opozita gjatë dy viteve. Rama përgëzoi strukturat partiake dhe të gjithë elektoratin për fitoren në shumicën e bashkive të mëdha më 8 maj. Ai kërkoi nga ato që “premtimet e dhëna t’i kthejnë në premtime të mbajtuara në funksion të projektit të PS-së për Shqipërinë”.

Ai kërkoi nga strukturat e partisë në rrethe që të komunikojnë me elektoratin socialist, për të rritur fuqinë komunikuese të PS-së me shoqërinë dhe më pas, më 29 qershor, të mblidhen sërish për të vendosur në emër të gjithë anëtarësisë rrugën që do të ndjekë PS në funksion të sfidës që ka përpara.

“Në vjeshtë mblidhet Kongresi zgjedhor i partisë”, tha Rama, “ku na duhet të dizajnojmë qartë rrugën e fitores së ardhshme për të ndryshuar Shqipërinë”.

Kreu opozitar tha se Shqipëria është sot në pikën më të ulët të marrdhënieve me BE-në, ndërsa opozitës, sipas tij, i takon të bëhet më e qartë se kurrë, si mbartësja e misionit për t’u anëtarësuar në BE.

“Ne jemi forca e të ardhmes, forca morale shpirtërore e një vendi të stërlodhur nga politika”, tha Rama, teksa e cilësoi PS-në si partinë për Europën.

PS duhet të tregojë me qartësi rrugën e re që kërkon të hapë për Shqipërinë”, theksoi Rama, “për të përfshirë çdo individ që kërkon Shqipërinë evropiane”.

Në qendër të punimeve të kësaj Asambleje është evidentimi i situatës politike në vend pas zgjedhjeve lokale, diskutimet rreth vendimmarrjs së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor.

Në tjetër çështje që do të diskutohet në mbledhjen e sotme të Asamblesë, është bojkotimi i Kuvendit nga deputetët e grupit parlamentar socialist, të cilët, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, nuk marrin pjesë në seancat parlamentare, në shenjë kontestimi ndaj rezultateve të KQZ-së për kryetarin e bashkisë Tiranë.