Lajme Shqip Wednesday, 25 September 2013 21:45

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, deri në kuvendin e fundit zgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës, sekretar i përgjithshëm i saj, dhe Fatmir Limaj nënkryetar i parë, më nuk janë në këtë parti, por jo edhe jashtë saj.

Me ndihmën e tyre, janë themeluar iniciativa qytetare në Malishevë dhe Drenas, komuna nga ata vijnë, të cilat në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do të garojnë për t’ua marrë pushtetin partisë për të cilën deri sot kërkonin votën.

Limaj edhe publikisht në një tubim të mbajtur në Malishevë, ka kërkuar që vota e qytetarëve të kësaj komune të jetë kundër PDK-së.

Shumëkush tha se ata po themelojnë një parti të re, e në PDK pati edhe nga ata që kërkuan përjashtimin e tyre nga partia, por plani i Krasniqit e Limajt nuk është ky.

Të dy këta ish themelues të PDK-së, që tani janë vetëm anëtarë të thjeshtë të kësaj partie, po përgatisin planin e rikthimin, por në krye të saj, dhe me një fuqi edhe më të madhe se sa më parë, kanë thënë burime të afërta me ta, të LajmeShqip.com.

Iniciativat qytetare të cilat janë themeluar me përkrahjen e tyre, janë instrument të cilin ata do ta përdorin, për thirrjen e një kongresi të jashtëzakonshëm të partisë, i cili do të mbahej para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në vend, të cilat pritet të organizohen nga mesi i vitit të ardhshëm.

Këtë në mënyrë të tërthortë e ka thënë edhe vetë zoti Krasniqi në një bisedë me një media online. Ai ka thënë se situata aktuale mes tyre dhe PDK-së, është si rezultat i mospërfilljes së kërkesave të zotit Limaj si nënkryetar i partisë dhe kërkesave të tij, atëherë si sekreatar i përgjithshëm i partisë për formën e zgjedhjeve të brendshme, që ato të jenë një anëtar një votë, për ta fuqizuar demokracinë e brendshme.
Tutje ai ka shtuar se përveç kësaj, nuk është pranuar as kërkesa e fundit e tij dhe e Limajt, për shtyrje të Kongresit të partisë.

Ndërsa kongresi i mbajtur pa ta, sipas Krasniqit, ka prodhuar një strukturë udhëheqëse, jo të zgjedhur por të emëruar.

Sipas Krasniqit pakënaqësi ka pasur edhe nëpër degë të partisë, e si rezultat i të cilave kanë lindur edhe iniciativat qytetare, të themeluara nga ish themelues të degëve të PDK-së. Me këtë Krasniqi, ka lënë të nënkuptohet, se kërkesa e tij, e Limajt dhe të pakënaqurve tjerë të PDK-së, është për zgjedhje të reja në parti, të cilat do nisnin duke filluar nga zgjedhja e strukturave të reja nëpër degë, e deri te udhëheqja qendrore e partisë. (LajmeShqip.com)