Lajme Shqip Sunday, 15 June 2014 11:17

 

Qindra qytetarë të Rahovecit dhe të gjithë Kosovës i kanë dhënë lamtumirën e fundit, kandidatit për deputet nga radhët e PDK-së, e biznesmenit Elvis Pista. Në ceremoninë e varrimit të të ndjerit Pista, që u vra me katër plumba në minutat e para të së dielës, kanë marrë pjesë edhe krerë të Partisë Demokratike të Kosovës. Në ceremoni të varrimit ishin të pranishëm edhe dy nënkryetarët e PDK-së, Kadri Veseli e Hajredin Kuqi.

I vetmi që ka folur në ceremoninë e varrimit të Elvis Pistës, ka qenë kreu i Rahovecit, Idriz Vehapi.

“Jemi mbledhur nga dhimbja e madhe që u nda nga ne miku ynë, shoku ynë dhe djali ynë Elvis Pista. Bash në ditën kur Rahoveci feston çlirimin, një dorë makabre u përkujdes t’ia merr jetën Elvisit, në ditët e rinisë, kur prej Elvisit priste Rahoveci, priste Kosova. Ne pritëm që Elvisi të na përfaqësojë në Kuvendin e Kosovës, por dora vrastare nuk e la dhe na e shkëputi nga gjiri”, ka thënë Vehapi.

Trupi i pajetë i Pistës, është bartur për në banesën e fundit me furgonin për bartjen e kufomave, që vet i kishte bërë donacion një xhamie në Rahovec.

 

Pistën e vranë nga pesë metra largësi me armë të shurdhër, dhe pas shpine

 

Është vrarë në Rahovec, për motive ende të panjohura, kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Elvis Pista.

Vrasja është raportuar edhe nga Policia e Kosovës. Sipas një komunikate nga policia në Rahovec, thuhet se rreth orës 00:45 min në oborrin e restorantit “Haja Petrol” në rrugën transite ka ndodhur një vrasje.

“Sipas informatave të para nga vendi i ngjarjes bëhet e ditur se E. P. nga Rahaveci kishte qenë në restorant me disa të njohur dhe posa kishte dalë nga objekti se bashku me bashkëshorten dhe të njohur te tjerë me te cilët kishte qëndruar ne restorant është qëlluar nga mbrapa me armë zjarri në një distancë rreth pesë metra largësi”, thuhet në komunikatë.

Sipas gëzhojave të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes besohet se arma është e kalibrit të vogël dhe mund të ketë pasur “shurdhues” të zhurmës.

“Sipas vendit të ngjarjes besohet se i dyshuari kishte zënë prit pas një muri që ishte i mbuluar me një bime dekorative me gjethe të shpeshta dhe nga ajo pozitë e ka qëlluar viktimën me katër plumba. Pas marrjes së plagëve, viktima është dërguar në Shtëpinë e Shëndetit në Rahavec për ndihmë, mirëpo mjeku ka mundur vetëm të konstatojë vdekjen”.

Në vendin e ngjarjes për hetimin e rastit kane qenë te pranishëm: drejtori rajonal, shefi i hetimeve rajonale; krim teknika : Njësiti K-9 (qentë nuhatës) dhe prokurori i shtetit. Po ashtu edhe mjekoligjorët kane qenë te pranishëm me ç’rast e kanë marre trupin e pa jetë për autopsi. Rasti po hetohet nga hetues të krimeve të rënda nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri sado të vogël rreth rastit ta ndihmojë policinë me informacione për gjetjen e autorit të vrasjes.

Policia rajonale e Prizrenit ka dalë në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur atentati në Pistën, që kishte fituar votat për t’u bërë deputet në Kuvendin e Kosovës.

KTV-së i është thënë në vendin e ngjarjes se të shtënat nuk janë dëgjuar, dhe se Pista është qëlluar 4 herë me armë me silenciator. Vrasësit e kanë pritur Pistën në afërsi të një trafoje elektrike afër restoranit ku ai ishte.

Pista ka qenë në Rahovec në një festë familjare, kur është qëlluar katër herë në një parking veturash, të një restoranti në këtë qytet. Ndaj Pistës, mësohet se është shtënë me armë, plagëve të të cilave ai nuk ka mundur t’iu mbijetojë. Ngjarja ka ndodhur në mesnatë.

Pista ka qenë djali i vetëm i familjes, ka qenë i martuar dhe nuk ka lënë fëmijë.

Ai ka synuar ulëse të deputetit me PDK-në, teksa është inkuadruar frik në politikë. Kishte deklaruar se ai do të tërhiqej nga politika në rast se PDK-ja nuk i fiton zgjedhjet në nacionale dhe nëse Hashim Thaçi nuk bëhet sërish kryeministër, ndërsa qytetin e tij të lindjes, Rahovecin, e quante jo bastion por “shtëpi të PDK-së”.

Ekzekutohet në Rahovec, Elvis Pista

Është vrarë me armë zjarri Elvis Pista, anëtari i PDK-së dhe njëherit kandidat për deputet i kësaj partie.

Klan Kosova ka marr vesh nga burimet e veta brenda Policisë së Kosovës se rasti ka ndodhur rreth orës 01:00 afër një pompe të benzinës në Rahovec.

Aktualisht atentatorët mbetën të panjohur për organet e rendit, të cilët kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet.

 

 

 

Në momentet tragjike Pista po festonte ditëlindjen e gruas, Besartës

 

Është vrarë në Rahovec, për motive ende të panjohura, kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së, Elvis Pista. Mbrëmjen tragjike, Elvis Pista po festonte ditëlindjen e gruas së tij. Burime të Express marrin vesh se gruaja e Elvisit është në muajin e pestë të shtatzënisë.

 

 

Thaçi ngushëllon familjen Pista, siguron se do të zbulohet atentatori

 

​Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka ngushëlluar familjen e kandidatit për deputet të PDK-së Elvis Pista, i cili u vra pas orës 01:00 në mesnatë në vendlindjen e tij në Rahovec.

Thaçi në telegramin e tij thotë se me tronditje e hidhërim të thellë mësova për ndarjen e papritur e të parakohshme nga jeta të njeriut tuaj të shtrenjtë, që njëherazi ka qenë edhe bashkëpunëtor e mik imi, Elvisit.

“Më lejoni që në emrin tim dhe të Qeverisë së Kosovës t’ju shpreh juve, të afërmve dhe miqve të tij, ngushëllimet më të sinqerta, si dhe solidaritetin dhe mbështetjen tonë më të madhe. Në këto momente të rënda dëshiroj të ndaj me ju dhimbjen për humbjen e pazëvendësueshme të Elvisit, i cili do të mbetet në kujtesën tonë si një njeri i dashur, energjik dhe korrekt”, thuhet në ngushëllimin e kryeministrit.

Ndër të tjera në telegram thuhet se menjëherë pas njoftimit për ngjarjen jam vënë në kontakt me institucionet përgjegjëse. “Ju siguroj që shteti është duke marrë të gjitha masat e duhura dhe do të bëj të gjitha përpjekjet e nevojshme që ta zbardhë sa më shpejt ngjarjen dhe të vendos autorët e këtij akti barbar sa më shpejt para përgjegjësisë ligjore, që të marrin dënimin e merituar”, ka thënë Thaçi.

E dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë vepër kriminale të shëmtuar, që ka tronditur mbarë vendin. Dhe, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që kanë dijeni për rrethanat e kësaj ngjarje të rëndë që të bashkëpunojnë pa humbur kohë me policinë dhe prokurorinë, në mënyrë që drejtësia të vihet sa më shpejt në vend, përfundon telegrami i  ngushëllimit./Express/Blic/Koha/