Lajme Shqip Thursday, 29 March 2012 08:30

Tiranë – Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili mori pjesë të mërkurën, në përurimin e Qendrës së Parë të Adiktologjisë (trajtimi dhe kujdesi i varësisë ndaj drogave) që është ngritur në Tiranë.

Kjo qendër, tha ministri Vasili, është konceptuar të jetë polivalente dhe të ofrojë trajtim të specializuar si brenda ashtu dhe jashtë spitalit, duke shërbyer  si një qendër trajnimi, koordinimi dhe referimi në nivel kombëtar.

Në këtë qendër ku ndodhen 20 shtretër, punon një ekip multidisiplinor, kur përveç mjekëve adiktologë dhe infermierëve, ka të punësuar psikologë dhe punonjës social.

Duke qenë pjesë e shërbimit spitalor, kjo qendër do të jetë e mirëintegruar brenda sistemit shëndetësor dhe do të mund të sigurojë vazhdimësi të shërbimit dhe të bashkëpunimit me shërbime të tjera ekzistuese, kryesisht të ofruar nga shoqëria civile. Hapja e saj është pjesë e zbatimit të projektit GLOK32 mbi Trajtimin dhe Kujdesin ndaj Drogave zbatuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin UNODC dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë OBSH.

Projekti ka një vlerë totale prej 250.000 USD dhe është financuar nga Qeveria italiane ndërsa iniciativa e krijimit të Qendrës është realizuar përmes një granti prej 85 000 USD implementuar nga Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza.

Deri pak kohë më parë, si qendër trajtuese ka shërbyer klinika toksikologjike pranë Spitalit Ushtarak, ku sipas statistikave të ofruara nga kjo klinikë vitin e kaluar kanë kërkuar ndihmë trajtuese rreth 900 persona, 60% e të cilëve janë të moshës 14 – 40 vjeç.