Lajme Shqip Sunday, 25 October 2015 22:40

Është përuruar segmenti i parë i autostradës “Arbën Xhaferi”, linja e 6-të e së cilës e lidh atë me autostradën “Ibrahim Rugova.

Kryeministri Mustafa, kryeparalemntari Veseli, ministrat Thaçi e Zharku, e quajtën këtë autostradë si një rrugë kyçe për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës.

Kostoja e kësaj autostrade është 600 milionë euro.

Nën masa të larta të sigurisë, me praninë e dhjetëra pjesëtarëve të policisë speciale dhe shumë truprojave të ministrave e ambasadorëve, është përuruar segmenti i parë i autostradës “Arbën Xhaferi”.

Kjo ceremoni u parapri nga kontroll e Policisë së Kosovës, pjesëtarët e së cilës pyesnin madje edhe gazetarët e kameramanët nëse kishin vezë me vete, transmeton Koha.net.

Me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa tha se ky është udhëkryqi më i madh në rajon.

Ndërsa kryeparlamentari, Kadri Veseli, tha se zotohet që Kosova asnjëherë nuk do të jetë një vatër e anarkisë.

Në përurimin e kësaj autostrade ishin të pranishëm edhe shumica e ministrave të Qeverisë së Kosovës, duke e përfshirë edhe atë të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi.

Për më tepër, kur po mbaheshin fjalimet, zyrtarët e zyrës së Thaçit paralajmëruan mediat se ai do të japë një prononcim të veçantë ndaras nga të tjerët.

Por kjo nuk ndodhi, pasi që ndonëse nuk ishte paraparë në program, Hashim Thaçi u ftua të fliste në podium, çka nxiti një reagim të befasishëm por të përmbajtur të zyrtarëve të kompanisë “Bechtel Enca”.

Fjalime mbajtën edhe ambasadorja turke Kiliç, dhe ambasadori amerikan Delawie, përshëndetjet e të cilit në 4 gjuhë, kanë mjaftuar për të marrë të qeshura ekzaltuese e duartrokitje nga ministrat kosovarë.

Linja 6 e kësaj rruge e kyç autostradën “Ibrahim Rugova” në atë “Arbën Xhaferi”, duke lidhur kështu Prishtinën me Shkupin.