Lajme Shqip Tuesday, 27 October 2015 15:40

Ministri Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami mbajti një takim me shkarkuesit e rektorit Ramadan Zejnullahu, gjashtë ditë pasi që Këshilli Drejtues mori vendimin për shkarkimin e tij.

Në takimin e mbyllur për media, ndonëse nuk u bë e qartë se çfarë u diskutua brenda tij, njëri nga anëtarët e MAShT në KD, Ismet Salihu, deklaroi se takimi është mbajtur për të diskutuar lidhur me kthimin e rektorit në pozitë dhe se rreth kësaj është arritur pajtueshmëri.

Salihu tha se, përkundër mospajtimeve, anëtarët e KD-së kanë shfaqur gatishmërinë që puna në Universitetin e Prishtinës të vazhdojë, pasi që edhe rektori Zejnullahu ka pranuar që të rikthehet në pozitën e të parit të UP-së.

“Ministri Bajrami na ka ftuar në takim të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues për të biseduar për gjendjen që është krijuar dhe mund t’ju them me bindje të plotë se të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues, shfaqën gatishmërinë që puna të vazhdojë në Universitet, meqë rektori ka dhënë pëlqim dhe ai do të kthehet me gjithë menaxhmentin e tij. Gjithashtu është qëndrim i përbashkët që të gjitha strukturat dhe njësitë akademike të vazhdojnë punën dhe gjatë kësaj kohe deri në fund te shkurtit përveç krahas punës së përditshme me studentët, me punën tjetër shkencore-hulumtuese të punohet në përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme, qe duhet te përfundohen deri në mars te vitit të ardhshëm”, tha Salihu, raporton KP.

Se a pati reagime të anëtarëve të Këshillit Drejtues të cilët e kanë kundërshtuar vendimin e ministrit, Salihu pas takimit të ministrit me këta të fundit tha se pati mospajtime, por që aty dominoi interesi i studentëve dhe i Universitetit.

Salihu njoftoi se ministri Bajrami ka premtuar që në bazë të autorizimeve të tij do të aprovojë Ligjin e ri dhe në bazë të këtij Ligji do të mbahen edhe zgjedhjet për rektorin e ri.

“U shfaq edhe ajo brengë e mospajtim, mirëpo këtu ka dominuar interesi i studentëve dhe Universitetit… Ministri Bajrami premtoi qe brenda mundësive, kapaciteteve dhe autorizimeve të tij do te aprovohet ligji i ri, dhe sipas Ligjit të ri të mbahen zgjedhjet, e më pas të nxirren aktet nënligjore…Shpresoj që edhe senati do ta kuptojnë situatën dhe do të punojnë në të mirën e studentëve”, tha Salihu.

Ai shprehu bindjen se Senati do ta kuptojë situatën dhe do të punojë në të mirën e studentëve.

Të mërkurën e kaluar, Këshilli Drejtues 9-anëtarësh i Universitetit të Prishtinës me gjashtë vota për e shkarkoi rektorin RamdanZejnullahu. Ky shkarkim i kushtoi ish-kryesueses së KD-së, Shefkije Islamajt, me shkarkim të menjëhershëm nga posti nga Ministria e Arsimit, me arsyetimin se ajo ka marrë një vendim të shpejtë dhe në kundërshtim me rregulloren.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, të nesërmen e shfuqizoi vendimin e KD, duke i bërë thirrje rektorit që të kthehet në pozitën që ai kishte, për ta vazhduar kauzën e lënë në gjysmë të rrugës për të ndërtuar një universitet me parime. Ministri dhe anëtarët e KD-së, përveç Salihut, pas takimit u larguan pa dhënë deklarata për mediat.