Lajme Shqip e Shtunë, 30 Qershor 2012 14:32

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në ditën e dytë të vizitës në Republikën e Kosovës, i shoqëruar nga delegacioni zyrtar, vendosi një kurorë me lule në Polluzhë, tek varri i luftëtarit të lirisë, Shaban Polluzha.

Në mesditën e sotme, Presidenti Topi vizitoi Komunën e Gjakovës, ku në një ceremoni të veçantë dekoroi Komunat e Gjakovës, Skënderajt, Pejës, Drenasit dhe Prizrenit me Urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Gjatë kësaj vizite, kryetari i komunës, Pal Lekaj, e shpalli Presidentin Topi “Qytetar Nderi” të Gjakovës: “Për mbështetje të fuqishme të proceseve për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, kontribut të jashtëzakonshëm dhe lobim në qarqet diplomatike për njohjen e Pavarësisë së Kosovës, për avancimin e iniciativave të zhvillimit demokratik në rajon”.

Më pas, Kreu i shtetit vijoi vizitën në Prekaz, ku në emër të Presidentit, u vendos nga këshilltarët një kurorë me lule në varrezat e qytetit në nderim të të rënëve gjatë luftës për çlirim kundër makinerisë ushtarake serbe.

     
Kryetari i Shtetit shqiptar u ndal në Kompleksin e Jasharajve, në Prekaz, ku vizitoi familjen e heroit legjendar Adem Jashari në nderim të jetës dhe veprës së tij heroike për çlirimin e Kosovës. Me këtë rast, Kreu i shtetit u takua me anëtarët e familjes Jashari, duke vlerësuar Adem Jasharin për heroizmin e tij vetëmohues në përpjekjet për liri e pavarësi të Kosovës, të cilat e shndërruan në simbol të qëndresës së paepur deri në martirizim të familjes Jashari.

Pas bisedës në kullë, Topi ka treguar se është për të satën herë në Prekaz, për të cilin ka thënë se “simbolizon më shumë se çdo vend tjetër i Kosovës atë qëndresë të jashtëzakonshme dhe ato sakrifica të panumërta që kanë bërë qytetarët e Kosovës”.

“Familja Jashari është familje emblematike, e cila dha trimin legjendar, i cili historinë e tij e ka shkruar me germa të arta dhe besoj që Kosova dhe mbarë shqiptarët krenohen me këtë trim të madh”, ka spikatur presidenti në largim i Shqipërisë. Ndërkaq, në fund ai ka shprehur kënaqësinë e tij që kulla e Jasharëve është e hapur për të gjithë dhe ka uruar që kjo familje të rigjenerohet dhe të këtë sa më shumë njerëz.

Rifat Jashari ka falënderuar presidentin Topi për vizitën, sikundër edhe gjithë popullin shqiptar, për të cilin tha se “sot e asaj dite nuk na la vetëm”, ndërkaq Topit i ka dëshiruar shëndet dhe lumturi në të ardhmen. (LajmeShqip.com)