|
|
e Mërkurë, 27 Qershor 2012 19:29 Prishtinë – Vendimi i Gjykatës për ish-komandantin e UÇK-së në zonën e Dukagjinit dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, pritet të shpallet në shtator të këtij viti. Mbrojtja kërkoi nga gjykata shpalljen të pafajshëm dhe lirimin e të akuzuarve, duke theksuar edhe se dëshmitë e dëshmitarëve mbi të cilat mbështetet prokuroria janë treguar të pavërteta.
Prokuroria, në anën tjetër, kishte kërkuar dënime me së paku nga 20 vjet burg. Në Tribunalin e Hagës pat filluar më 18 gusht 2011 rigjykimi i pjesshëm i ish-kryeministrit të Kosovës dhe ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt.
Rigjykimi i Haradinajt ndodhte pas lirimit të tij nga aktakuza po nga kjo gjykatë në vitin 2008. Dhoma e Apelit e Tribunalit të Hagës për Krime Lufte urdhëroi më 21 korrik të vitit 2010 të ndalet në paraburgim Ramush Haradinaj dhe rigjykim për të dhe Lahi Brahimajn e Idriz Balajn. Bëhej e ditur se Dhoma e Apelit e Tribunalit të Hagës kishte shfuqizuar vendimet e mëparshme.
Ramush Haradinaj është dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës më 9 mars 2005, pasi një ditë më parë kishte dhënë dorëheqje nga funksioni i kryeministrit të Kosovës, menjëherë pasi ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës nga Tribunali i Hagës. Më 9 qershor 2005, me vendim të Tribunalit të Hagës, Haradinaj është liruar nga paraburgimi deri para fillimit të gjykimit, ndërsa më 26 shkurt 2007 shkoi përsëri në Hagë për të qenë në procesin gjyqësor.
Më 3 prill 2008 Gjykata e Hagës e shpalli të pafajshëm ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ish-komandant i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit. I pafajshëm u shpall edhe Idriz Balaj. Lahi Brahimaj u dënua me 6 vite burgim. (LajmeShqip.com)