Lajme Shqip Thursday, 22 October 2015 11:47

E plotësuar: Pas vendimit të ministrit Arsimit Bajrami për kthimin në punë të rektorit Ramadan Zejnullahu ka përfunduar protesta e cila ishte organizuar nga shoqëria civile.

Rron Gjinovci nga shoqëria civile tha vendimi i ministrit Bajrami për shfuqizimin e vendimit të Këshillit drejtues për shkarkimin e rektorit Zejnullahu është një fitore për shoqërinë, transmeton Telegrafi.

 

Rektori u kthye, kërkohet shkarkimi i dekanëve dhe Këshillit Drejtues (Foto)

Gazetarë e pjesëtarë të shoqërisë civile, e po ashtu edhe qindra qytetarë janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit, për të kundërshtuar shkarkimin e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu.

Ndonëse ministri i Arsimit, përmes një vendimi ka shfuqizuar vendimin e Këshillit Drejtues për këtë shkarkim, protestuesit tashmë gjenden para objektit të MAShT-it.

Ata, po kërkojnë: Shkarkimin e Këshillit Drejtues dhe emërimin e një organi të përkohshëm, ku gjysma janë ekspertë ndërkombëtarë, shkarkimin e dekanëve dhe emërimin e ushtruesve të detyrës, ndryshimin e Ligjit për Arsimin e Lartë që të pamundësohet ndikimi partiak në Universitete Publike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të pandikuara politikisht në UP deri në maj të vitit 2016.

Kësaj proteste po i prijnë moderatori dhe gazetari Adriatik Kelmendi, aktivisti Rron Gjinovci, drejtoresha e grupit Koha, Flaka Surroi dhe shumë të tjerë.