Lajme Shqip Monday, 26 October 2015 09:10

Pas skenave të dhunshme brenda dhe jashtë ndërtesës së Kuvendit fundjavën e kaluar, mes të cilave shumica parlamentare megjithatë ia doli ta miratojë ligjin për shëndetin mendor, kuvendi do të pushojë për disa ditë.

Kjo do të bëhet me qëllim që të reflektohet mbi situatën dhe provohet gjetja e një zgjidhje. Mbajtja e seancave nën masa policore dhe jashtë sallës së seancave plenare nuk po shihen si zgjidhje, as nga ndërkombëtarët, të cilat mund t’i kontribuojnë funksionimit normal të institucioneve, shkruan sot Koha Ditore.

Gazeta merr vesh se qysh këtë fillim javë përfaqësues të vendeve të QUINT-it do të zhvillojnë takime me kryeministrin Isa Mustafa për të parë nëse Qeveria ka ndonjë plan në lidhje me kërkesat e opozitës.

Të dielën, gazeta nuk ka arritur të marrë përgjigje nga zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi, në lidhje me këtë çështje dhe nëse do të ketë ndonjë iniciativë nga Qeveria për të diskutuar rreth kërkesave të opozitës.

Deri më tani, përveç mungesës së propozimeve, kryeministri Isa Mustafa e zëvendësi i tij Hashim Thaçi edhe kanë mohuar se vendi gjendet në krizë institucionale.