Lajme Shqip Wednesday, 15 May 2013 14:21

Ky i fundit është akuzuar rëndë nga bashkëpartiaku i tij, Petroviq, lideri i partisë së pavarur serbe (SLS),  për tradhti ndaj serbëve, ndaj institucioneve të Kosovës, për komplote dhe për pengesë ndaj proceseve pozitive të vendit.

Në ndërkohë që, Rashiq thotë se Petroviq nuk komunikon me gjysmën e liderëve serbë të Kosovës, ka përçarë politikanët serbë mes vete, ka pamundësuar integrimin e serbëve të veriut në institucione të Kosovës, ka punuar për interesa të veta e aspak për komunitetin serb dhe sot vazhdon të jetë njeriu kyç i bllokimit të zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Sipas tij, kjo qasje e Petroviqit ka bërë që gjysma e deputetëve pjesë e grupit parlamentar të Kosovës të largohen nga SLS, dhe të formojnë grupin parlamentar të ri të quajtur “E ardhmja e përbashkët”, në krye të së cilit është vetë ministri Rashiq.

Të gjitha këto ndryshime, kanë bërë që vetë Petroviq të kërkojë nga kryeministri Thaçi, shkarkimin e Nenad Rashiqit nga posti i ministrit. Jo më mirë kanë mbetur edhe deputetët që kanë lëshuar SLS-së, të cilët po ballafaqohen me presione e kërcënime. Kjo përçarje ka bërë që të reagojë edhe bashkësia ndërkombëtare.

Siç ka mësuar “Zëri”, edhe vetë kryeministri Thaçi mban krahun e Petroviqit, kjo për shkak të së kaluarës së përbashkët që kanë pasur në procese të ndryshme që ka kaluar Kosova.

Zëvendëskryeministri Petroviq nuk ka pranuar të flasë për “Zërin”, por i cituar nga RTK, ai thotë se tashmë ka kërkuar nga kryeministri Thaçi largimin e ministrit Rashiq.

“Në mbledhjen e fundi të partisë njëzëri është miratuar vendimi për largimin e Rashiqit nga ky subjekt. Ne sot ia kemi dërguar një shkresë kryeministrit dhe presim që ditët e ardhshme të kemi një emër të ri për pozitën e ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale”, ka thënë Petroviq, i cili ndër tjerash ka mohuar se SLS është përçarë.

Por, Rashiq beson se përkundër presioneve të Petroviqit, iniciativa e grupit të ri serb do të ketë sukses. Ai tregon se në kundërshtim me statusin e partisë, Petroviq e ka larguar atë nga mbledhja e partisë javën e kaluar.

“Jo vetëm mua, por Petroviq po përdor variante të ndryshme si presione dhe kërcënime edhe ndaj deputetëve që kanë lëshuar SLS-në”, tha ai.
Sidoqoftë, sipas tij, interesi i kësaj iniciative nuk është që të prishet Qeveria Thaçi, por përkundrazi që të ndihmojë këtë qeveri të ecë përpara në proceset që gjendet, sidomos kur bëhet fjalë për zbatimin e marrëveshjes me Serbinë.

“‘E ardhmja e Përbashkët’ ka për qëllim që të punojë në interes të komunitetit serb, ndërkohë që Petroviq ka punuar që liderët serbë në qendër të Kosovës të mos flasin mes vete, që serbët e veriut t’u frikësohen institucioneve të Kosovës, që zbatimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi të mos nisë me shumë dëme e probleme tjera”, tha Rashiq.

Ai shtoi se ditët në vijim do të kërkojë takim me kryeministrin Thaçi dhe siç tha ai, mundësia që të kërkojë një koalicion të ri mbetet e hapur.
“Ne nuk duam prishje të Qeverisë, përkundrazi ne mbesim pjesë e kësaj Qeverie e politikave të saj, por mundësia që të ketë ndryshime pozitash mbetet e hapur”, tha Rashiq.

Këto përplasje kanë bërë që të reagojë edhe bashkësia ndërkombëtare, në veçanti Ambasada e SHBA-ve në Kosovë. Gazeta ka kuptuar se Ambasada Amerikane anon kah politikat e Nenad Rashiqit, megjithëse ajo nuk është e pajtimit që në këtë kohë, në këtë moment të ketë ndryshime në qeverisjen Thaçi.
“Prioriteti i bashkësisë ndërkombëtare për momentin është nisja e zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi. Ata nuk duan që të humbet kohë tani me procese të brendshme të koalicionit qeverisës, dhe të humbet koncentrimi karshi marrëveshjes”, tha një zyrtar ndërkombëtar.

Ndryshe emrat e katër deputetëve që janë larguar nga SLS janë: Biserka Kostiç, Goran Marinkoviq, Boban Todoroviq dhe Milivoje Stojanoviq.

Këtij grupi të ri, fillimisht me katër deputetë të SLS-së, i është bashkangjitur edhe një deputet nga lista e bashkuar serbe (JSL), një nga Partia Demokratike Serbe (PG) dhe një nga komuniteti Ashkali, duke e çuar numrin në 7 deputetë. Ndërsa grupi parlamentar i SLS-së, ka mbetur me 6 deputetë, prej tyre katër të SLS-së, një nga JSL dhe një goran.