Lajme Shqip Wednesday, 27 July 2011 20:03

Shkup – Zyrtarë nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), kanë qenë të pakapshëm të mërkurën që të prononcohen lidhur me zhvillimet e një ditë më parë në veri të Kosovës, ku jetën humbi Enver Zymberi, pjesëtar i forcave policore të atjeshme.

Kjo heshtje e tyre si duket ka rezultuar nga debati i nxehtë në Parlamentin e Maqedonisë ku po vijojnë polemikat mbi qeverinë e re, ku mes këmbimit të akuzave janë gjetur edhe subjektet shqiptare. Por ka qenë Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), e Osmanit që ka reaguar lidhur me rastin e fundit në veri të Kosovës. Sipas kësaj partie, ky është një rast i shtrirjes së autoritetit të shtetit të Kosovës në gjithë territorin e vet të pranuar ndërkombëtarisht nga shumë shtete te botës.

“Shteti i Kosovës është dashur ta bëjë këtë hap shume më herët, por falë ndikimit të faktorit ndërkombëtare, sidomos atij amerikan, ky hap disi ka qenë më i balancuar. Kosova nuk ka bë asgjë më tepër se sa qe lypet prej një shteti sovran të mbroj sovranitetin e saj”, ka thënë zëdhënësi i RDK-së Armir Ramadani, duke shtuar se ky rast do të ketë implikime më të gjera, sepse Serbia nuk është në gjendje të bëjë probleme më të mëdha duke pasur parasysh se tash me i ka dorëzuar gati te gjithë personat me të kërkuar për krime lufte.

”Kjo dhe duke pasur parasysh se tashme dalëngadalë Serbia i afrohet Bashkimit Evropian (BE). Me siguri do te detyrohet të plotësoj edhe një kusht, edhe ajo është njohja e Kosovës, që të mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian (BE)”, ka thënë zëdhënësi i RDK-së Ramadani. Polici i plagosur i njësisë speciale të Kosovës, Enver Zymberi nga fshati Dubovc i Vushtrisë, në orët e vona të së martës ndërroi jetë, ndërsa varrimi i tij me nderime më të lara është bërë të mërkurën. Ai ishte qëlluar gjatë rrugës për në pikën kufitare 31 në Bërnjak, nga serbët e revoltuar. (LajmeShqip.com)