Lajme Shqip Wednesday, 26 June 2013 13:39

Prishtinë – Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme janë interesuar për detajet e dorëheqjes së Lulzim Pecit nga shërbimi diplomatik i Kosovës. Ambasadori Peci ka rrëfyer për 17 qershorin, ditën kur ai qëndroi në Beograd i emëruar si zyrtar ndërlidhës i Kosovës në Serbi. 

Ai ka deklaruar se me tu kthyer nga Beogradi është takuar me ministrin Hoxhaj të cilit i ka treguar për takimet e tij në Beograd. Në mbrëmje, Peci tha se ishte takuar rastësisht me kryeministrin Thaçi. Peci theksoi të jetë kritikuar ashpër nga Kryeministri për përdorimin e gjuhës serbe në Beograd dhe për deklaratën se “normalizimin i plotë i marrëdhënieve me Serbinë do të ndodh, pasi kjo e fundit ta njoh pavarësinë e Kosovës”. 
”Nuk kam zhvilluar asnjë takim me zyrtarë të shërbimit serb, siç është thënë në komunikatën e MPJ-së. Në çdo takim kam qenë i shoqëruar me pjesëtarin mbrojtjes së afërt të Policisë së Kosovës. Pas kthimit nga Beogradi, rastësisht jam takuar me një restorant me kryeministri Thaçi, i cili më kritikoi ashpër për gjuhën serbe që kam përdorur në Beograd dhe për deklaratën time, të cilën e kam dhënë në Klan Kosova ku unë shprehem se normalizimi i plotë i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës do të bëhet pasi që Serbia të njoh pavarësinë e Kosovës”, ka deklarua Peci, raporton RTK.
Pas kësaj, ambasadori Peci tha të ketë telefonuar presidenten Jahjaga, më pas përmes postës elektronike i ka ofruar dorëheqjen e tij. Dhe, krejt në fund dorëheqjen e ka bërë publike. 
Peci, ka lënë të kuptohet se ai është ndier i ofenduar nga kryeministri Thaçi, kur u pyet nga mediat pas mbledhjes së komisionit. Këtë përshtypje e pati edhe kreu i komisionit, Albin Kurti.
Ndryshe, Ambasadori Peci ka hedhur poshtë komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme në të cilën thuhet se ai është takuar me zyrtarë të shërbimit serb. Peci ka bërë të ditur se ka pasur takime me zyrtarë të BE-së , dhe se ka qenë i shoqëruar nga pjesëtari i mbrojtjes së afërt i Republikës së Kosovës. 
Edhe për sa i takon performancës së tij si ambasador në Stokholm, Peci tha se asnjëherë nuk ka marr vërejtje apo propozim për shkarkim nga Ministria e Punëve të Jashtme.