Lajme Shqip Friday, 21 June 2013 08:32

Prishtinë – Luzim Peci, ish ambasador i Kosovës në Suedi dhe zyrtar ndërlidhës i Kosovës në Serbi tha se fushata denigruese e MPJ-së me atë komunikatë ndaj tij, ka të bëjë me faktin se “ata nuk e  kanë pritur se do të jap dorëheqje”. Peci ka thënë se nuk është amator. Ai ka thënë se ka qenë vetë iniciativa e MPJ-së të shkojë në Beograd, madje me vetë iniciativën e ministrit Hoxhaj. Peci ka thënë se është i gatshëm të japë përgjegjësi para institucioneve kompetente, në lidhje me akuzat që i janë bërë. Komentet e tij Peci i ka bërë në emisionin Interaktiv ndërkaq Zhurnal sjellë pjesë të veçanta të intervistës.

 

Peci: Nuk jam amator

 

“Unë në Beograd i kam përshëndetur në tri gjuhë, në shqip, serbisht e anglisht. Nuk kam pasur asnjë udhëzim se si t’u drejtohem gazetarëve në Beograd. Kam dashur që Serbisë në gjuhën serbe t’i jap mesazhin në e Republikës së Kosovës”. 

Kështu vazhdoi deklaratën e tij ish ambasadori Lulzim Peci. Ai tha se edhe pse e ka bërë këtë deklaratë, “sepse pjesa kyçe ka qenë që po flasim për dy shtete”, Peci shtoi se në deklaratën e tij ka dhënë mesazhin se  pret bashkëpunim të hapur e korrekt. 

“Jam i sigurt se si do të jetë ky bashkëpunim”, tha Peci.

Ai tha se ka pasur raporte absolutisht të mira me ministrin Enver Hoxhaj dhe nuk e di pse pati kaq ndryshim. “Pas aktit të dorëheqjes,e kam mbyllur telefonin nga presioni i medieve”. 

Peci tha se në mesin e kolegëve të tij ka shumë ambasadorë të mirë e nuk ka  qenë as dëshirë e as ambicie  e tij të shkojë në Beograd. 

“Ka qenë iniciativë e ministrit Hoxhaj që për një vit të shkoj në Beograd, duke më konsideruar si ndër më të mirët dhe asnjëherë nuk kam marrë asnjë vërejtje për punën time nga asnjë prej krerëve të shtetit”. 

Peci tha se mendon se ministri Hoxhaj duhet të mendojë për vetveten. “Janë shumë të rënda akuzat ndaj meje dhe denigruese, por secili le ta përballojë me fytyrën e vet”. 

Peci tha se nuk është amator. “Nuk jam amator por kam që 20 vjet që merrem me këtë punë”.

 

Peci: Jam i gatshëm për dëshmi para Komisionit për Politikë të Jashtme

 

Luzim Peci tha se fushata denigruese e MPJ-së me atë komunikatë ndaj tij, ka të bëjë me faktin se “ata nuk e  kanë pritur se do të jap dorëheqje”.

“Aty në komunikatë nuk ka asnjë të vërtetë. Asnjë takim të paautorizuar nuk e kam realizuar në Serbi. Asnjë”, tha ai, duke aluduar në një paragraf të komunikatës së MPJ-së se “Peci kishte pasur biseda me agjentë serbë”. 

“Këtë jam i gatshëm ta dëshmoj edhe në Komisionin për Politikë Jashtme të Kuvendit të Kosovës, që nga dita e parë e punës sime apo kujtdo qoftë”, tha Peci. 

Ai deklaroi se vetëm një herë kam qenë në Beograd për të përgatitur shkuarjen e tij dhe këtë e ka bërë me dijeninë e të gjitha institucioneve ashtu siç parashikohej në plan dhe së bashku me dy zyrtarë të tjerë nga shërbimi diplomatik. 

“Kjo ka qenë e ditur dhe vetë Ministri Hoxhaj e ka publikuar këtë lajm. Atje kam shkuar me zyrtarë të tjerë e në Beograd dhe jam takuar me përfaqësues të baroneshës Catherine Ashton”.

“Unë në Beograd ka  mbërri rreth orës 11 e 30. Jam takuar me shefin e delegacionit të BE’së. Kam qenë tërë kohën nën mbrojtjen e afërt të Njësitit për Mbrojtjen e  afërt të Policisë së Serbisë”, tha Peci. 

“Po jam kthyer atë ditë sepse kjo ka qenë e ditur ngase delegacionet tona nuk kanë qenë të pajisura me staf dhe pajisje”, u shpreh ish ambasadori. 

Ai deklaroi se edhe përfaqësuesi i Serbisë në Prishtinë, Pavicevic, është  kthyer të njëjtën ditë në Serbi. 

 

Peci: Deklarata e MPJ-së është për keqardhje

 

“Deklarata ime në Beograd ishte brenda mandatit dhe deri atë ditë ky ishte qëndrimi i shtetit tonë”. Kështu tha Lulzim Peci, ish ambasador i Kosovës në Suedi dhe zyrtar ndërlidhës i Kosovës në Serbi.

Ai deklaroi se Kryeministri Hashim Thaçi, sipas Kushtetutës, pas Presidentes, është personi numër dy sa i përket cështjeve të punëve të jashtme. 

“Unë vendosa të martën me vetveten e të mërkurën kërkova dorëheqje të parevokueshme”. 

Ato çfarë janë shkuar në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme pas dorëheqjes së tij, Peci tha se janë totalisht të pavërteta.

Njëra nga pohimet në komunikatë ishte se “MPJ e kishte në plan për ta shkarkuar nga detyra si ambasador”. 

Por për këtë, Lu,zim Peci tha se deri atë ditë ishte konsideruar si ambasadori më i mirë i Republikës së Kosovës edhe nga vetë ministri Enver Hoxhaj dhe zyrtarët e tjerë, për shërbimin e kryer në Suedi. 

“Në aspektin e përformancës sime në Stokholm, sikur të mos ishin të kënaqur, nuk do të më kishin thirr të hartoj strategji për lobim. Atje  kam mbuluar gjashtë shtete si ambasador”, deklaroi Peci. 

Sa i përket komunikatës së lëshuar nga MPJ pas dorëheqjes së tij, Peci tha se ishte “për keqardhje”.

“Është për keqardhje çfarë komunikate ka lëshuar kabineti i Ministrit Hoxhaj.  Kjo komunikatë më ka bërë të ndjehem edhe më i vendosur pse kam dhënë dorëheqje”.

 

Peci: Kryeministri Thaçi nuk arsyetoi kritikat e forta ndaj meje

 

Luzim Peci duke shpjeguar  arsyet e dorëheqjes së parevokueshme nga shërbimi diplomatik i Kosovës, tha se ditën e hënë pasi kishte shkuar në Beograd, edhe ishte kthyer në Prishtinë. 

“Po jam kthyer të hënën në Prishtinë. Atë ditë në mbrëmje me Kryeministrin Thaçi jam takuar rastësisht në një lokal ku isha me një mik timin. Aty Thaçi më kritikoi për deklaratën e dhënë në Beograd”, tha ish-ambasador Peci. 

“Pas asaj kam menduar thellë se çfarë do të thotë kjo për mua dhe pasi kam vlerësuar të gjitha elementet, dhashë dorëheqje të parevokueshme”.

Peci tha se këtë e ka bërë duke u bazuar në tri arsye të forta. “Për shkak të dinjitetit tim profesional, moral dhe bindjeve të mia politike”, tha ai. 

“Bindjet e mija politike janë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Serbinë do të arrihet me  njohjen ndërmjet dy vendeve”.

Peci tha se Kryeministri nuk i kishte dhënë asnjë shpjegim pse po e kritikonte. “Jo, ai nuk dha asnjë shpjegim pse po më kritikonte. Jo, jo, jo”, përsëriti Lulzim Peci. 

 

Peci- Para medieve në Beograd dola me sugjerim të kabinetit Thaçi

 

Peci shpjegoi arsyet pse i zgjati mandati vetëm 48 orë si i përfaqësues i Kosovës në Beograd.

Ai tha se shpjegimin e vet për arsyet e dorëheqjes së parevokueshme e ka shpjeguar në letrën dërguar Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Arsyeja e dorëheqjes ka qenë sepse kam pasur kritikë nga Kryeministri Hashim Thaci pasi kam deklaruar në Beograd se ‘se normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës  dhe Republikës së Serbisë do të ndodh pasi Serbia të njoh pavarësinë e Kosovës”.

Peci në emisionin “Interaktiv” të KTV-së tha se atë ditë, para medieve për të dhënë deklaratën për media, ka dalë me udhëzim të Prishtinës zyrtare. 

“Në media kam dalë me udhëzim të kabinetit të Kryeministrit. Pra të jap sqarimet për vendosjen time atje. Unë kam marr zgjygjerim nga kabineti i Kryeministrit sepse përndryshe ambasadorët nuk kanë të drejtë të dalin para  medieve pa dhënë pëlqimin Ministria e Punëve të Jashtme”.