|
|
e Mërkurë, 04 Korrik 2012 14:35 Prishtinë -Parlamenti Evropian sipas zyrtarëve të tij nuk ka qenë aspak i kënaqur me punët e EULEX-it.
EULEX-it po i kërkohet nga Parlamneti Evropian më shumë përkushtim në hetimin e miliona eurove të abuzuara në Aeroportin e Prishtinës dhe Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës.
James Duch zëdhënës i Parlamentit Evropian tha se hetimet në këto raste janë adresuar që nga viti 2009. “Ekziston një raport për disa raste në dy ndërmarrjet publike në Kosovë dhe raste të tjera të evidentuara që nga koha e UNMIK-ut që nuk janë zbardhur. Këto i janë kërkuar EULEX-it që të vazhdohen”.
Zyrtarët e misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë nuk kanë komentuar çështjen e kërkesave të Parlamentit Evropian. Në adresimet që kanë bërë zyrtarët e Parlamentit Evropian thuhet se edhe më shqetësuese mbetet situata kur prokurorët qoftë ndërkombëtarë apo vendorë kanë nisur hetimet dhe i kanë ndërprerë ato duke treguar papërgjegjësi totale.
Sipas shpjegimeve që kanë dhënë zyrtarët e Parlamentit Evropian janë të paktën 27 raste të korrupsionit që nuk janë ndjekur fare nga të cilat 12 janë raste të rënda ku përfshihen miliona euro të keqpërdorura. (LajmeShqip.com)