Lajme Shqip Wednesday, 28 March 2012 11:00

Strazburg (PLOTESUAR 28 mars, 19:30) Parlamenti Europian diskutoi sot mbi progresin europian të Kosovës bazuar në rezolutën e raportueses Ulrike Lunaçek. Gjatë debatit, komisioneri europian i zgjerimit Shtefan Fyle përshëndeti nisjen e studimit të fizibilitetit duke vënë në dukje atë që theksoi një ditë më parë në Prishtinë se nevojitet që të gjitha palët të përfshihen në këtë proces.

“Vetëm me mbështetjen e të gjitha forcave politike, Kosova do të mund të kryejë reformat e kërkuara për tju afruar Europës. Në 10 muajt e ardhshëm do të kryejmë një analizë mbi përgatitjen e Kosovës për të nënshkruar MSA-në me Bashkimin Europian dhe kjo marrëveshje do të konfirmojë bashkimin e Kosovës me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE-së”-tha Fyle.

Gjatë debatit, eurodeputetja Tanja Fajon kërkoi të përcaktohet një afat kohor për liberalizimin e vizave me Kosovën, ndërsa bëri thirrje për progres në dialogun Prishtinë-Beograd. Nga ana tjetër, eurodeputeti Eduard Kukan, tha se BE duhet të vazhdojë angazhimin e tij në Kosovë.

“Studimi i fizibilitetit, dialogu i liberalizimit të vizave dhe programet e BE-së janë hapa konkretë dhe ambiciozë për të cilat Kosova ka nevojë urgjentisht. Por ne presim edhe rezultate konkrete dhe të prekshme nga autoritetet e Kosovës. Dua të inkurajoj Kosovën të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe besoj se përfaqësuesit e parlamentit të Kosovës ashtu si ne këtu në Parlamentin Europian duhet të informohemi rregullisht për rezultatet e këtij dialogu”-tha Kukan.

Deputetet debatuan mbi rezolutën e përgatitur nga eurodeputetja Ulrike Lunaçek, e cila mes te tjerash i bën thirrje 5 shteteve anëtare që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë një gjë të tillë, ndersa thekson se sa e rëndësishme është që BE të vazhdojë të jetë e angazhuar në Kosovë për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

 *****************************

Bruksel-Parlamenti Europian diskuton sot rezolutën për integrimin europian të Kosovës. Siç njoftohet në faqen zyrtare të Parlamentit Europian, deputetët do të diskutojnë sot pasdite mbi progresin e Kosovës drejt Bashkimit Europian.

Deputetët do të diskutojnë mbi rezolutën 2011/2885(RSP) të përgatitur nga eurodeputetja Ulrike Lunaçek në emër të Komisionit për politikën e jashtme, dhe veçanërisht 3 amendamentet që i janë shtuar draftit.

Një prej këtyre amendamenteve kërkon që të merren parasysh konkluzionet e Këshillit Europian në takimin e 28 shkurtit 2012, për procesin e zgjerimit dhe stabilizim asocimit, ku u vendos që KE të nisë studimin e fizibilitetit si hapi i parë drejt nënshkrimit të MSA-së me BE-në.

Një tjetër amendament i kësaj rezolute i bën thirrje 5 shteteve anëtare që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë një gjë të tillë, ndërsa thuhet se mipritet pjesëmarrja e tyre në negociatat mes Kosovës e Serbisë. Drafti thekson se sa e rëndësishme është që BE të vazhdojë të jetë e angazhuar në Kosovë dhe e konsideron këtë angazhim jetësor për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Në të njëjtën seancë do të debatohet ndërsa të nesërmen do të votohen edhe rezolutat për tri vendet me status kandidati, Turqinë, Malin e Zi dhe Serbinë. (LajmeShqip.com)