Lajme Shqip Wednesday, 15 June 2011 12:02

Tetovë – Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) nuk do të jetë pjesë e asnjë kombinatorike për pjesëmarrje në përbërjen e re qeveritare, mësohet jozyrtarisht në partinë e Thaçit.

Portali Lajmeshqip.com ka kuptuar, nga burime brenda kësaj partie, se në PDSH hedhin poshtë takimin “e inskenuar në qarqe të ndryshme në Tiranë”, midis krerëve të PDSH-së dhe BDI-së me kryeministrin shqiptar Sali Berisha.

“Ne nuk do të jemi pjesë e qeverisë se re, pasi që platforma jonë dallon shumë nga ajo e BDI-së dhe e partive të tjera dhe për realizimin e saj nevojitet një mbështetje më e madhe. Për momentin jemi të përcaktuar për të përforcuar kapacitetet tona si parti dhe veprimin tonë në opozitë”, kanë thënë në partinë e Thaçit.

Në këtë subjekt i cili në zgjedhjet e 5 qershorit mori 8 deputetë, mohojnë çfarëdo bisedash me ndonjërën parti maqedonase, për të hyrë në koalicionin qeveritar.

Nga partia më e madhe opozitare shqiptare hedhin poshtë edhe zërat të cilët një ditë më parë janë plasuar në opinion, nga një televizion i afërm me VMRO-DPMNE-në, se Gruevski mund të bisedojë edhe me PDSH-në për koalicionin e ardhshëm.

Sipas burimeve të kësaj medie, kryeministri Gruevski mund të negociojë edhe me PDSH-në e Menduh Thaçit për formimin e Qeverisë së re dhe se me këtë parti që fitoi 8 deputetë do të siguronte një mazhorancë prej 63 deputetëve.