Lajme Shqip Friday, 02 October 2015 09:44

Ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, Arsim Bajrami, para një javësh, në bazë të dispozitave të nenit 18 të Ligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës, ka emëruar katër anëtarët e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Anëtarë të emëruar të Këshillit Drejtues të UP-së, të cilët i ka përzgjedhur ministri Bajrami, janë: Ismet Salihu, Sigurd Höllinger, Shefkije Islamaj, Isa Qosja.

Ismet Salihu është profesor i së Drejtës Penale në Universitetin e Prishtinës, tash i dalë në pension. Është rreth 80-vjeçar dhe ka probleme shëndetësore me prostatën. Para se të bëhet pjesë e PDK-së, ishte kundërshtar i saj. Meqë vijnë nga i njëjti fakultet me profesor Arsim Bajramin dhe për ta zbutur qëndrimin e tij kritik ndaj PDK-së dhe favorizuar me një pozitë, këtë kundërshtar të PDK-së Bajrami e emëron anëtar të Këshillit Drejtues të UP-së.

Shefkije Islamaj, anëtarja tjetër e Këshillit Drejtues e UP-së e emëruar nga ministri Bajrami, është nga fshati Likovc i Drenicës. Islamaj nuk është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës por, çuditërisht, edhe pa qenë pjesë e UP-së, edhe pa marrë vesh rreth çështjeve të UP-së, vetëm duke qenë nga Drenica e përkrahëse e PDK-së, emërohet anëtare e KD-së të këtij universiteti. Islamaj ishte kryetare e KD-së edhe në kohën kur rektor i UP-së ishte Ibrahim Gashi. Ajo u pati premtuar kandidatëve të UP-së, një grupi studentëve përfaqësues të studentëve të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, se do t’i regjistrojë në UP. Por, premtimet e saj s’i pati realizuar rektori i ardhshëm dhe i tashëm, Ramadan Zejnullahu.

Anëtari i katërt i KD-së i emëruar nga ministri Bajrami është Isa Qosja, vëlla i Rexhep Qosjes. Bajrami dhe disa krerë të PDK-së paraprakisht i kishin bërë ftesë Rexhep Qosjes për emërim në KD, por ai u kishte propozuar që në vend të tij ta marrin vëllanë e tij, Isa Qosjen.

Kështu ka deklaruar një burim i afërt me ministrin Bajrami për “Indeksonline”, i cili ka dashur të mos i përmendet emri në portal: “Ministri Bajrami ka dashur që në UP të sjellë një personalitet të pakontestueshëm. Ministri, realisht, e ka zgjedhur anëtar të Këshilli Drejtues Rexhep Qosjen, por profesor Qosja nuk ka qenë i gatshëm ta marrë këtë detyrë, pasi ka dhënë arsyetimin se nuk është mirë me shëndet dhe se Universitetit të Prishtinës mund t’i kontribuojë edhe pa qenë anëtar i Këshillit. Qosja i ka propozuar ministrit Bajrami që në vend të tij, ta emërojë vëllanë e tij, regjisorin Isa Qosjen”. /Indeksonline/