Lajme Shqip Sunday, 20 October 2013 16:53

Zyrtarët e PDK’së janë duke planifikuar t’i shkarkojnë nga pozitat partiake Fatmir Limajn dhe Jakup Krasniqin, të cilët kanë dalë hapur kundër partisë së Hashim Thaçit. Në këtë formë, PDK pritet që pas zgjedhjeve lokale t’i lirojë Limajn e Krasniqit nga pozita e anëtarit të Kryesisë dhe në vend të tyre t’i emërojë Sokol Bashotën e Nexhat Demakun, shkruan Express.

 

Në këtë mënyrë, PDK po përgatitë shkarkimin e lehtë të dy prej ish-themeluesve kryesorë të PDK’së. “Limaj e Krasniqi do të zëvendësohen me Kryetarin e Klinës, Sokol Bashotën dhe me Kryetarin e Drenasit Nexhat Demakun”, ka thënë një zyrtar i PDK’së për Express. Zyrtarisht në PDK nuk kanë dashur të flasin për Limajn dhe Krasniqin, të cilët po bëjnë fushatë në përkrahje të iniciativave të themeluara nga ish-anëtarët e PDK’së.

 

Sekretari i PDK’së, Basri Musmurati nuk ka dashur të flas në lidhje me planet e PDK’së për t’i liruar Limajn e Krasniqin nga pozitat partiake. Por, para një muaji, Musmurati pati deklaruar se s’kanë kohë të merren me dy ish-themeluesit e PDK’së. As anëtarët e Kryesisë aktuale të PDK’së nuk kanë dashur të flasin për këtë plan të partisë. “Pyetni Nënkryetarët e PDK’së”, ka thënë Zenun Pajaziti, anëtar i Kryesisë së PDK’së. As Nënkryetarët e PDK’së nuk u janë përgjigjur thirrjeve të Express për të treguar nëse do t’i largojnë dy anëtarët e Kryesisë së partisë. Sidoqoftë, Limaj dhe Krasniqi kanë dalë publikisht kundër PDK’së dhe po përkrahin nismat qytetare, të themeluara nga ish-anëtaret e Partisë së Hashim Thaçit. Aktualisht, Limaj është deputet, ndërsa Kransiqi udhëheq Kuvendin. Në zgjedhjet e fundit partiake, Limaj e ka humbur pozitën e Nënkryetarit të Parë të PDK’së, ku pastaj është emëruar Kadri Veseli. Në pozitën që e ka mbajtur Jakup Krasniqi prej themelimit të PDK’së e ka zënë Basri Musmurati.