Lajme Shqip Saturday, 28 June 2014 15:58

Partia Demokratike e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi është duke tentuar që me çdo kusht ta çojë vendin drejt krijimit të një qeverie teknike. Madje, siç mëson Gazeta Blic nga burimet e saja ndërkombëtare, PDK dhe Hashim Thaçi me disa nga njerëzit e tij, është duke lobuar intensivisht tek diplomatët e huaj, që Kosova ta ketë një qeveri teknike gjithëpërfshirëse.

“Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi me disa nga njerëzit e tij më të besueshëm është duke lobuar intensivisht, vetëm e vetëm që të mos lejoj ardhjen e një kryeministri nga partitë që tashmë kanë arritur marrëveshjen. Në fund të fundit, Thaçi e ka shumë të qartë se e ka shumë të vështirë që të bëhet kryeministër, duke e ditur se asnjë nga partnerët shqiptarë nuk dëshiron të hyjë në koalicion me të, andaj edhe opsioni më i mirë mbetet një qeveri teknike”, ka thënë ky burim ndërkombëtar i Gazetës Blic.

Sipas këtij burimi, në secilin takim me ndërkombëtarët, kryeministri në largim po mundohet që ta paraqes veten se ai është i vetmi i cili mund ta kontrollojë situatën, sidomos tani kur pritet të themelohet Gjykata Speciale, dhe kur pritet të ketë edhe arrestime, nën dyshimin për krime lufte.

Sidoqoftë, tani për tani gjithçka është në duart e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila pritet që t’i përgjigjet presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, e cila kishte kërkuar sqarim në lidhje me atë se kujt i takon mandatari për formimin e qeverisë së re të Kosovës, Hashim Thaçit apo Ramush Haradinajt.

Derisa koalicioni i partive LDK- AAK- Nisma për Kosovën dje janë takuar për të koordinuar siç kanë thënë ata programet e tyre për qeverisjen e ardhshme të vendit, PDK ndërkohë thotë se po e pret Gjykatën Kushtetuese për të vepruar tutje.

Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi i ka deklaruar Gazetës Blic se çfarëdo vendimi që do ta merr Gjykata Kushtetuese e vendit, partia e tij do ta respektoj.

Në zgjedhjet e 8 qershorit, PDK ka dalë partia e parë me 30 për qind, e pasuar nga LDK me 15 për qind, Vetëvendosje me rreth 13 për qind, AAK me 9 për qind dhe Nisma për Kosovën 5 për qind.

Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, dhe publikimit të rezultateve preliminare, LDK- AAK dhe Nisma për Kosovën me mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë arritur një marrëveshje për formimin e qeverisë së ardhshme, duke e lënë kështu jashtë loje PDK-në e Hashim Thaçit, e cila doli si partia e parë në zgjedhje.